04 Maj 2024

Vetëvendosje: Fati i Kosovës është i lidhur me fatin e Trepçës

Prishtinë, 18 korrik - Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas grevës së filluar nga Minatorë duke e thënë se fati i Kosovës është i lidhur me fatin e Trepçës.

Sipas Vetëvendosjes, ajo që filloi dje në formë të protestës e që rezultoi në grevë të pastajme të 700 minatorëve të Trepçës, është reagim i arsyeshëm dhe i natyrshëm ndaj asaj që po ndodh Kosovës dhe Trepçës, apo Trepçës dhe Kosovës. “Minatorët prapë në grevë. Prapë në Trepçë. Dhe prapë në një moment vendimtar për Kosovën”.

“Shteti i uzurpuar dhe zaptuar, institucionet shtetërore të kidnapuara, paraja publike e keqmenaxhuar dhe e vjedhur, agjencitë shtetërore e kompanitë publike të kolonizuara e shkatërruara (për t’u privatizuar), janë të gjitha duke i ndodhur Trepçës”, shkruan VV në vazhdim të reagimit.

Vetëvendosje akuzon drejtuesit dhe ish drejtues të Trepçës si keqmenaxhues dhe njerëz që publikisht e kanë pranuar se kanë qenë agjentë të ShIK-ut, që nuk i kanë dhënë askujt llogari e madje as informatë për çfarë po ndodh në të, dhe tash po bëhet gati për likuidim e shitje nga të njëjtit persona e nga e njëjta qeveri.

“Fati i Trepçës është i lidhur ngushtë me fatin e Kosovës, sepse Kosova është e lidhur ngushtë me Trepçën. Trepçës po i kanoset copëtimi e shitja, nga e njëjta qeveri që po e copëton e shet Kosovën. Rrjedhimisht brohoritjet e minatorëve kundër privatizimit të Trepçës, dhe për mosnjohje të AKP-së jo vetëm që janë të qëlluara por edhe duhet përkrahur deri në fund. Privatizimi përkatësisht AKP-ja e shkatërrojnë Trepçën, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje nxjerrëse/eksploatuese të xeheve të Kosovës, pa kurrfarë rritje të kapaciteteve përpunuese dhe shtuese të vlerës”, thuhet më tutje në reagimin e VV.

Përfitimet marramendëse financiare për kapitalin privat, me shumë pak përfitime për Kosovën si shtet dhe popullin e Kosovës, Vetëvendosje thotë se rezultojnë në rritjen e armatës së punëtorëve me kualifikim të ulët, të cilët për shkak të kësaj por edhe për shkak të shkallës së lartë të papunësisë, nuk do ta kenë kurrë mundësinë të organizohen kolektivisht për avancim të drejtash e kushtesh në punë.

“Privatizimi i një gjiganti industrial çfarë është Trepça e rrit tej mase oreksin e hienave të parasë së shpejtë në zyrat tona qeveritare, të cilët përmes korrupsionit financiar dhe korruptimit politik, vazhdojnë të krijojnë pasuri të mëdha. Trepça është ndërmarrje, punëtorë, dhe resurse me rëndësi strategjike, ekonomike, politike e shoqërore për Kosovën. Ajo duhet të jetë e paprivatizueshme”, thuhet më tej në reagim.

Vetëvendosje kritikon emërimin e Eset Ujkanit si ushtrues detyre i menaxherit të Trepçës duke shtuar se ky njeri nuk e ka as kredibilitetin më të vogël moral e profesional për të shërbyer në atë pozitë. “E vetmja cilësi që ai ka është afërsia kriminale me partinë në pushtet dhe shërbimin e saj SHIK, madje, Eset Ujkani më 18 maj 2007, si pjesë e një grupi prej 7 personave të PDK ka drejtuar rrahjen e aktivistëve të Vetëvendosjes në një tubim publik në prani edhe të Hashim Thaçit”, thonë nga Vetëvendosje.

Sipas këtij subjekti politik, emërimi i Ujkanit në këtë pozitë e vazhdon kolonizimin nga ShIK të ndërmarrjeve publike e shoqërore të Kosovës. “Kolonizimi kurrë nuk është i mirë. Zaten kjo nuk është hera e parë që masat e dhunshme po i vendosen dhe imponohen Trepçës e minatorëve. Dhe nuk është hera e parë që këto masa të dhunshme, të cilat vijnë nga instanca që duan të përfitojnë nga Trepça e jo ta zhvillojnë atë, refuzohen aktivisht nga minatorët”.

Sipas Vetëvendosjes, greva e minatorëve e tregon, më së miri se ku e ka katandisur Kosovën kjo qeveri. “Pas tërë asaj historie të përpjekjes dhe luftës për çlirim, sot jemi në një gjendje ku kundërshtohen masat e dhunshme, kundërshtohet shpërdorimi i Trepçës për përfitime të paligjshme, kundërshtohet tendenca për ta privatizuar atë (pra, që nga Trepça të përfitojë tjetërkush e jo Kosova), dhe ku këtë kundërshtim e bëjnë minatorët në grevë, në Trepçë. Për Trepçën duhet të angazhohemi të gjithë. Trepçën duhet ta mbrojmë të gjithë, sikur secilën pasuri tjetër të Kosovës. Sikur edhe më parë, këtë e nisën minatorët”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Vetëvendosje në fund fton minatorët që të mos bien pre e lajkave të qeverisë si dhe të mos lejojnë që protesta e tyre parimore t’i shërbejë interesave kriminale të zyrtarëve qeveritarë dhe njerëzve të afërt me ta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)