Ndihma Shtetërore: Detyrimi për Njoftimin e Ndihmës dhe Kthimi i Ndihmës së Kundërligjshme
Shkruar nga Elton Tota
Mbi të kuptuarit e drejtë të konceptit të ndihmës shtetërore
Të zbatuarit e saktë të dispozitave ligjore të ndihmës shtetërore lidhet ngushtë së pari me të kuptuarit e drejtë të këtyre dispozitave por edhe të punës që kanë institutionet e ndihmës shtetërore.
Në Kosovë por edhe në rajon, mungon avokimi mbi kuptimin e mirfilltë të ndihmës shtetërore dhe rolin që ka ajo në zhvillimin ekonomik. Shpesh, mungojnë edhe informatat bazë, dhe jo vetëm për opinionin e gjërë shoqëror por edhe për vetë ndërmarrjet publike dhe private si përfituese të ndihmës shtetërore.
Institucionet e ndihmës shtetërore, jo rrallë herë konceptohen sikur janë dhënës të ndihmës shtetërore dhe jo në rolin e tyre të vërtetë si organe qe në vetvete përbëjnë një sistem që ushtron kontrollin efekiv mbi dhënien e ndihmës shtetërore.
Ky sistem i kontrollit institucional përbëhet nga Departamenti i Ndihmës Shtetërore –DNSH/Departamenti dhe Komisioni i Ndihmës Shtetërore –KNSH/Komisioni).
Kurse, dhënësit e ndihmës shtetërore janë institucione të tjera shtetërore (kryesisht Ministritë e Financave) të cilat përpara dhënies së ndihmës së planifikuar, kanë detyrim ligjor që të kryejnë njoftimin paraprak të saj tek institucionet e ndihmës shtetërore për vlerësimin dhe vendimmarrjen mbi pajtueshmërinë e ndihmës me kriteret ligjore.
Kontrolli i ndihmës shtetërore dhe kthimi i ndihmës së kundërligjshme
Vetëm pas një vendimi miratues (pozitiv) nga ana e Komisionit, dhënësit e ndihmës shtetërore mund të procedojnë me dhënien e ndihmës, në të kundët çdo ndihmë e dhënë pa njoftimin dhe miratimin paraprak të Komisionit konsiderohet ndihmë e kundërligjshme dhe në këtë rast iniciohet procedura për ndihmën e kundërligjshme shtetërore, ku Komisioni mund të nxjerrë një vendim me të cilin i kërkon dhënësit të ndihmës shtetërore: (1) ti sigurojë informatat që i konsideron të nevojshme; (2) të pezullojë dhënien e ndihmës, dhe (3) të kryejë kthimin e përkohshëm të ndihmës së dhënë kundërligjshëm, derisa Komisioni të marrë një vendim mbi pajtueshmërinë e ndihmës.
Komisioni mund të urdhërojë kthimin e ndihmës, në rast se pas procedurës së hetimeve zyrtare, vendos se ndihma shtetërore nuk është dhënë në pajtim me dispozitat në fuqi për ndihmën shtetërore.
Në përforcim të faktit se çdo ndihmë e kundërligjshme duhet kthyer, legjislacioni Evropian për ndihmën shtetërore zbaton tashmë parimin e njohur si “daggendorf principle” sipas të cilit Komisioni pezullon dhënien e çdo ndihme të re ndërmarrjeve, përderisa të mos kthejnë ndihmën e pranuar kundërligjshëm.
Po ashtu, Komisioni mund ta anulojë vendimin për miratimin e një ndihme shtetërore, nëse pas miratimit konstaton se vendimi është mbështetur në informata të pasakta të dhënësit, që kanë qenë të rëndësishme në marrjen e vendimit apo kur ndihma e dhënë nuk është duke u shfrytëzuar në pajtueshmëri me vendimin e Komisionit.
Në këtë rast, pra kur përfituesi e shfrytëzon ndihmën shtetërore në kundërshtim me miratimin e Komisionit, kemi të bëjmë me keqpërdorim të ndihmës dhe rrjedhimisht pas anullimit të vendimit, Komisioni, ashtu si në rastin e ndihmës së kundërligjshme do të fillojë një procedurë zyrtare hetimi.
Efektiviteti i institucioneve të ndihmës shtetërore
Për të qenë efektive në punën e tyre, institucionet e ndihmës shtetërore duhet të mbështeten në dispozita të qarta ligjore. Baza ligjore duhet të reflektojë një nivel të kënaqshëm të harmonizimit me dispozitat përkatëse të ndihmës shtetërore në nivel të BE-së.
Nga ana tjetër, përveç aspektit ligjor, edhe institucionet e kontrollit të ndihmës shtetërore duhet që të jenë në gjendje që të përcjellin në vazhdimësi zhvillimet në fushën e ndihmës shtetërore në BE si dhe të përfitojnë nga praktikat e punës si të institucioneve Evropiane të ndihmës shtetërore ashtu edhe të vendeve të BE-së.
Siç u theksua më lart, roli i autoriteteve zbatuese të ndihmës shtetërore është i përcaktuar në legjislacionin në fuqi për ndihmën shtetërore.
Në përgjithësi ligji për ndihmën shtetërore në Kosovë është në pajtueshmëri me dispozitat e BE-së për ndihmën shtetërore, por ndryshimet janë ende të nevojshme në mënyrë që ligji të harmonizohet me dispozitat e MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës (2016) dhe legjislacionin evropian për ndihmën shtetërore i cili ndër të tjera parasheh që Kosova duhet: (1) të krijojë një inventar që përmban skemat e ndihmës, (2) të krijojë një regjistër të ndihmës shtetërore që përmban të gjitha ndihmat (individuale ose skema), si dhe (3) të krijojë një regjistër të ndihmës ‘de minimis’.
Po ashtu, ligji për ndihmën shtetërore duhet të përfshirjë si kategori ligjore edhe elemente të tjera të nevojshme përfshirë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e Komisionit (KNSH-së) dhe Departamentit (DNSH-së) që kanë të bëjnë me kontrollin, revokimin apo monitorimin e ndihmës shtetërore.
Gjithashtu duhet përmendur që edhe roli i legjislacionit sekondar është shumë i rëndësishëm sepse përmes tij mund të rregullohen shumë nga çështjet sidomos ato procedurale të veprimit të autoriteteve të ndihmës shtetërore.
Po ashtu, përmirësimi dhe plotësimi i mëtejshëm i legjislacionit, përveç harmonizimit me acquis të BE-së është po ashtu i nevojshëm edhe për rritur efektivitetin e organeve të kontrollit të ndihmës së shtetit.
(Ky publikim është mbështetur nga projekti me titull "KSV 019 Asistenca Teknike në kuadër të Integrimit Evropian" i zbatuar nga Zyra për Kritere Ekonomike dhe Treg të Brendshëm në Zyrën e Kryeministrit dhe financuar nga Qeveria e Luksemburgut. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorit, dhe nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të Qeverisë së Luksemburgut).