Rifillon puna e prodhimit në Ferronikeli
Në këtë ceremoni, ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, tha se Feronikeli si një investim në industrinë e rëndë, me punën dhe strategjinë e përqendruar të investitorit turk – Yıldırım Holding, përsëri do të jetë fabrika enorme dhe më prestigjioze për metalurgjinë në Republikën e Kosovës.
“Ferronikeli, i cili është ndër asetet më të mëdha të Kosovës, me këtë investim do të shtojë akoma më shumë vlerë në vete, si dhe në sferën nacionale dhe regjionale. Pa dyshim, Ferronikeli, i cili është burimi i kontributit të jetesës së mijëra familjeve, do të kontribuojë edhe në mirëqenien e Republikës së Kosovës në aspektin mikro dhe makro, duke kontribuuar në përforcimin e tij”, theksoi Damka.
Tutje, Damka tha se në dy vitet e fundit qeveria i ka kushtuar rëndësi të veçantë krijimit të një ambienti sa më të përshtatshëm biznesi dhe klime sa më të favorshme për investime të huaja direkte, siç janë investimet nga investitorët turq.
“Këta investitorë nga Turqi mund të shihen në shumë sektorë, si: në sektorin bankar, menaxhimin e aeroportit, energjinë, prodhimtarinë dhe shërbimet. Siç kemi qenë dëshmitarë në shumë fusha, Turqi është një nga partnerët tonë kryesorë në fushën e ekonomisë dhe do të vazhdojë duke rritur investimet në vendin tonë”, theksoi Damka.
Yıldırım në qershor të vitit 2022 tha se "plani i propozuar i biznesit do ta shndërrojë NewCo Ferronikelin në njërën prej fabrikave më të vlefshme të Grupit Yıldırım.
"NewCo Ferronikeli" është themeluar në vitin 1984 si ndërmarrje shtetërore, me një kompleks që përfshin fabrikën për prodhimin e nikelit në dy linja, si dhe rezervat e pasura me minerare nën hapësirën përreth.