29 Mars 2024

Trajtimi i ujërave të zeza duhet të jetë prioritet i dy niveleve të qeverisjes

Gjilan, 22 mars - OJQ EC Ma Ndryshe ka vlerësuar se uji i kontaminuar paraqet rrezik për shëndetin e njeriut dhe funksionimin e ekosistemeve.

Shkarkimet e pakontrolluara mund të rezultojnë në kontaminim të burimeve të ujit të pijshëm, mbingarkimin e tyre me lëndë organike dhe akumulimin e metaleve të rënda.

Derdhja e pakontrolluar e ujërave të zeza, jo vetëm që po shkakton probleme në kontaminim të ujit të pijshëm dhe po prek direkt shëndetin tonë, por po ndikon edhe në varfërimin e diversitetit të florës dhe faunës në këta lumenj.

"Duke e analizuar territorin e Kosovës, në pamje të parë duket se ne jemi të pasur me lumenj, por në fakt Kosova ka pak ujë, shumë më pak se të gjithë fqinjët e saj", thekson OJQ EC Ma Ndryshe.

Kosova poashtu ka edhe nivelin më të ultë të zhvillimit dhe ruajtjes së burimeve ujore, gjendja e tyre është e mjerueshme edhe pse  janë bërë investime në përmirësim të saj.

 Sipas raportit të Bankës Botërore që nga viti 1999 janë investuar më shumë se 250 milion € në sektorin e menaxhimit të ujërave në Kosovë kryesisht nga fondet e ambasadave të huaja dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Megjithatë që nga viti 2009 sipas OJQ EC Ma Ndryshe kemi rritje të kontributeve edhe nga ana e institucioneve lokale e qendrore si dhe kompanive rajonale të ujësjellësit.  

Problemet e furnizimit me ujë në Kosovë nuk kanë të bëjnë vetëm me furnizimin dhe qasjen në ujë, por edhe me qasjen në ujë të sigurt.

Anketa e treguesve të shumfishtë  nga UNICEF dhe Agjensioni i Statistikave të Kosovës, tregon që edhepse në përqindje të ulët, në disa raste ka prezencë të bakteries Escherichia coli në ujin e pijes që e përdorin qyetetarët e Kosovës.

Rezoluta 64/292 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e ka njohur furnizimin me ujë të pastër si një të drejtë njerëzore dhe esenciale për realizimin e të gjitha të drejtave njerëzore. Po ashtu aty thuhet se shtetet kanë përgjegjësinë kryesore për garantimin e realizimit të plotë të të gjitha këtyre të drejtave.

Aktivitetet kryesore të njeriut që konsiderohen burime të ndotjes së ujit janë: eksploatimi i rërës dhe zhavorrit, hudhja e mbeturinave, produktet e derivateve dhe derdhjet kimike lubrifikante nga mjetet transportuese ujore, shpërlarjet e tokës, aktivitetet bujqësore, dhe të fundit por jo më pak të rëndësishme, janë shkarkimet e ujërave të zeza urbane dhe industriale në lumë pa u trajtuar.

Një nga format më të mira deri më tani për ndalimin e ndotjes së lumenjve, është ndërtimi i impianteve për trajtim të ujit. Impiantet e trajtimit të ujërave të zeza kanë një kapacitet përpunimi të mijëra metrash kub ujë në ditë. Përmes kësaj teknologjie bashkëkohore ujërat e zeza shndërrohen në ujëra të pastërta deri në 97%.

Sipas raportit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit të cilët përveç shërbimit të furnizimit me ujë, sigurojnë edhe shërbimin e grumbullimit të ujërave të ndotura thuhet se në vitin 2020, ky shërbim është siguruar për rreth 65% të popullatës dhe nëse krahasohet me vitin paraprak 2019, ka mbetur në pozitën e njejtë.

Investimet për një sistem të denjë të kanalizimeve dhe impianteve konsiderohen si mjaft të rëndësishme për mjedisin dhe për vendet ku derdhen këto ujëra. Prandaj për sigurimin e cilësisë së burimeve tona ujore nuk duhet vetëm monitorimi dhe kontrolli i tyre nga shkarkimet e ndotësve, por duhet filluar edhe me trajtimin e këtyre ujërave të ndotur.

Në raportin e KDI-së theksohet se deri më sot në Kosovë janë trajtuar më pak se 1% e ujërave të ndotura të kanalizimit. Po ashtu thuhet se gjatë viteve 2017-2019, institucionet publike të Kosovës kishin kontraktuar 326 projekte për ndërtimin e kanalizimeve, të cilat derdhen në të gjithë lumenjtë e Kosovës.

Ndërkohë që, përkundër burimeve financiare që kishin pasur në dispozicion, institucionet kishin kontraktuar vetëm 8 projekte për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza (apo vetëm 7% të projekteve të planifikuara), të gjitha këto me një vlerë monetare afër 43 milion euro.

Po ashtu aty theksohet se ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis nuk parasheh dispozita të cilat kërkojnë vlerësime të tilla për investimet kapitale në rrjetet e kanalizimeve, përkundër që ato përbëjnë ndotësit kryesorë të lumenjve tanë.

Trajtimi i ujërave urbane në vend është shumë i ultë. Aktualisht, si impiant i trajtimit të ujërave të ndotura me përmasa më të mëdha është në Skenderaj dhe disa impiante të vogla në nivel lokal. Vitin që lamë pas, në Prizren është inauguruar një impiant tjetër i cili në fazën e parë ka nisur operimin për 50,000 banorë duke mbuluar kështu vetëm 35% të qytetit.

Në inaugurimin e këtij projekti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti paralajmëroi që deri në fillim të vitit të ardhshëm pritet të lëshohen në funksion edhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura në Pejë e Gjakovë, me çka shkalla e trajtimit do të arrinte rreth 9% të popullsisë. Kurse deri në fund të vitit 2025, kjo shifër pritet të arrijë rreth 50% të popullsisë, kryesisht në qendrat e mëdha urbane, duke shtuar Prishtinën me Obiliq dhe Fushë Kosovë, Gjilanin, Ferizajin dhe Mitrovicën.

Në raportin “Kosovo Water Security Outlook” ceket se të gjitha pellgjet kryesore të lumenjve në vendin tonë njihen dhe raportohen si mesatarisht ose shumë të ndotur. Drini i Bardhë është lumi më i shëndetshëm pasi ka më pak presione dhe prurje më të larta ujore, por ky lumë gjithashtu ndotet rëndë në rrjedhat e poshtme të saj nga ujërat e zeza industriale dhe urbane, por edhe nitratet dhe fosfatet bujqësore.

Për të reduktuar ndotjen në këtë lumë nënkryetari i Komunës së Prizrenit, z. Kujtim Gashi, gjatë konferencës së fundit të organizuar nga EC Ma Ndryshe, theksoi se në planet e komunës për vitet në vazhdim është edhe zgjerimi i projektit të impiantit të ujërave të zeza duke përfshirë këtu edhe lagjet nga të cilat ujërat e zeza derdhen në të.

Në vitin 2019 në këtë lumë kanë ngordhur një sasi e konsiderueshme e peshqve dhe bagëtive për shkak të kontaminit nga ndotja.

Edhe Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndureshëm në objektivën numër 6 përfshinë si nënobjektivë të saj përmirësimin e cilësisë së ujit duke reduktuar ndotjen, eleminuar hedhjen dhe minimizuar çlirimin e kimikateve dhe materialeve të rrezikshme, duke përgjysmuar përqindjen e ujërave të zeza të patrajtuara dhe duke rritur ndjeshëm riciklimin dhe ripërdorimin globalisht.

Prandaj padyshim që shtimi në numër i këtyre impianteve dhe realizimi i tyre për një kohë më të shpejtë janë më se të nevojshme por në të njejtën kohë duhet shtuar edhe numri i inspektimeve në terren për të parandaluar kontaminimin e këtyre lumenjëve.

Parandalimi i ndotjes dhe informimi i qytetarëve për dëmin që po i shkaktojnë vetes dhe natyrës ngelen të jenë sfidat më të mëdha.

Kështu që duke pasur parasysh ndikimin e faktorit njeri në ndotjen e ujërave, përveç që niveli qendror dhe lokal duhet tu jap më shumë prioritet këtyre investimeve dhe ta mundësojnë realizimin e të gjitha projekteve për impiantet për trajtimin e ujërave të ndotura, në të njejtën kohë secili prej nesh duhet të tregohemi më të dashur me natyrën dhe të kujdesemi për këto pasuri ujore që kemi.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)