17 Maj 2024

Prodhuesit e pijeve të pakënaqur me politikat fiskale

Prishtinë, 5 tetor - Departamenti i Pijeve Jo alkoolike i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), është i shqetësuar me situatën e vështirësuar të operimit të këtij sektori të zhvilluar në vend.

Bashkim Osmani, kryesues i Departamentit të Pijeve Jo alkolike, tha se Qeveria e Kosovës dhe dikasteret e saj si Ministria e Financave, ajo e Tregtisë dhe Industrisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik vazhdimisht po prononcohen se angazhohen për të  krijuar  kushte të volitshme të zhvillimit të biznesit dhe sektorit privat në Kosovë.

AKB-ja, si pjesë e angazhimeve në kuadër të krijimit të një mjedisi më të volitshëm, vlen të potencohet projekt ligji për Lirimin nga Detyrimet Doganore të disa prej lëndëve të para dhe makinerive të prodhimit si dhe angazhimet vetëmohuese për balancimin e tregut duke ndërmarr kundërmasat ndaj dampingut.

“Natyrisht veprimet e tilla do jenë gjithmonë të mirëseardhura dhe të përkrahura nga komuniteti i biznesit, përderisa kanë për qëllim zbatimin e një qëllimi tonë të përbashkët e që është zhvillimi i ekonomisë së shtetit tonë”, tha Bashkim Osmani.

Ai shtoi se tanimë botërisht është e ditur se, industria e përpunimit dhe prodhimit të pijeve joalkoolike është një nga degët më të zhvilluara në Republikën e Kosovës.

Si rikujtim ai potencoi faktin se 100% e këtij biznesi është i ngritur me forca tona vetanake pa asnjë përkrahje apo subvencion.

Kryesues i Departamentit të Pijeve Jo alkolike, shtoi se si çdo degë e industrisë janë duke u ballafaquar me probleme të shumta.

Problemet janë të natyrave të ndryshme dhe në theks të veçantë kjo konferencë ka të bëjë me problemin e politikave fiskale që udhëhiqen për lëndët e para dhe produktet që këta i prodhojmë.

Ai tregoi se janë pikërisht këto probleme që i kanë vënë në pozicion të shprehjes së pakënaqësisë së madhe duke tentuar kështu që përmes kësaj konference edhe një herë të njoftojmë institucionet përgjegjëse se jemi në prag të shkatërrimit nga ngarkesa e tepruar me akcizë për pije joalkoolike.

“Duke analizuar politikat fiskale të shteteve të rajonit, posaçërisht të atyre që janë anëtare të marrëveshjes së CEFTA-së, lehtë është e determinueshme se kushtet më të disfavorshme për llojin tonë të prodhimtarisë janë në Kosovë. Ne në vazhdimësi, pa asnjë vullnet, kemi paguar taksën e akcizës së brendshme për produktet tona që nga viti 2006”, tha Osmani.

Sipas tij edhe përkundër angazhimeve të AKB-së dhe Departamentit për lirimin e lëndës së parë nga detyrimet e importit dhe atë për heqjen e taksës së akcizës për produktet e gatshme, nga ana e institucioneve nuk është gjetur mirëkuptim, por janë shtuar ato masa, duke u bërë edhe më të rrepta, siç është rasti i atribuimit të akcizës edhe për pjesën e produkteve për të cilat deri më tani nuk është kërkuar të paguhet si dhe duke lëshuar aktvendime për arkëtim të detyrueshëm të kësaj takse në aspekt të veprimit retroaktiv.

Kryesues i Departamentit të Pijeve Jo alkolike në AKB, tha se konkretisht, një pjesë e madhe nga lista e lëndëve të para ende paguan detyrimin e doganës në import dhe problemi edhe më i theksuar është se përveç për produktet që janë 100% me përbërje të frutave, të gjitha produktet tona tjera ngarkohen me 0,045 € për litër.

Kjo nënkupton se përafërsisht për 95% të produkteve tona ekziston ngarkesa e taksës së akcizës së brendshme. Më konkretisht, për çdo litër të produkteve tona të shitura në territorin e Kosovës llogaritet se mesatarisht 15% deri 25% të çmimit final e përbëjnë taksat që e ngarkojnë atë.

“Duke krahasuar politikat tona fiskale dhe të vendeve të rajonit, lehtë mund të konstatohet se prodhuesi kosovar, është i pabarabartë dhe në disfavor jo vetëm në aspektin e konkurrencës në rajon, por pikërisht në vendin tonë”, tha Osmani. 

Sipas tij këtë e theksojnë duke pas parasysh se të gjitha vendet e rajonit gëzojnë lirime nga detyrimet e importit për lëndën e parë, gëzojnë subvencione dhe nuk kanë ngarkesa të brendshme të taksës së akcizës andaj janë konkurrues në vendin tonë edhe përkundër shpenzimeve të transportit dhe shpenzimeve tjera që kanë.

Ai shtoi se si përfundim, nga të gjitha institucionet relevante vendimmarrëse kërkojnë që në pakon e re fiskale të përfshihen të gjitha kërkesat e prodhuesve të adresuara më herret.

Përfundimisht të hiqet taksa e akcizës së brendshme për produktet tona dhe të ndërpritet çdo veprim institucional, arbitrar për arkëtim të detyrueshëm të taksave për periudhën retroaktive trevjeçare.

“Kërkesa jonë është e bazuar në fakte. Lehtësirat për biznes është rrugëdalja e vetme nga situata e krijuar dhe njëkohësisht ky propozim në rast të mirëkuptimit do ndikoj drejtpërdrejtë në kursimin e shportës së konsumatorit dhe do na mundësoj mbajtjen e kontinuitetit të dinamikës së punësimit në vendin tonë”, tha Osmani.

Sipas tij në kuadër të aktiviteteve tona lobuese dhe në takimet si me zyrtarë të qeverisë ashtu edhe me organizata dhe institucione ndërkombëtare, siç është FMN-ja, janë përpjekur të arsyetojnë qëndrimet e tyre kundrejt politikave që udhëhiqen nga Doganat e Kosovës.

Ai shtoi se meqë të gjitha këto aktivitete, deri më sot nuk kanë sjell rezultatet e kërkuara, janë detyruar që përmes kësaj konference mediale tu ju bëjnë me dije opinionit se veprimet  e tyre të ardhshme janë veprime të detyrueshme dhe të pashmangshme.

“Kërkesa jonë është të anulohet vendimi për akcizë të pijeve joalkoolike nga organet vendimmarrëse, sepse jemi në një situatë jashtëzakonisht të rëndë dhe mos-përmbushja e kërkesave tona mund të ketë për pasojë veprime që mund të shpien deri tek vendimet për bartjen e biznesit në vendet e afërta të rajonit apo edhe mbylljen definitive të veprimtarive tona prodhuese në Kosovë”, tha kryesuesi i Departamentit të Pijeve Jo alkolike në AKB. 

Sipas tij veprime këto jo të pëlqyeshme për prodhuesit e pijeve si investitorë e po ashtu të pa pëlqyeshme për fuqinë punëtore që e kanë të angazhuar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)