31 Maj 2023

Ndërtohet impiant urban i trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë

Prishtinë, 11 maj - Falë Gjermanisë dhe Zvicrës, si dhe bashkëpunimit të tyre të ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe Komunën e Gjakovës, më 11 maj 2023 u hap në Gjakovë një impiant i madh urban për trajtimin e ujërave të zeza, i cili do t'i shërbejë rreth 30.000 banorëve. Projekti është zbatuar me sukses nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW.

Ambasadori gjerman z. Jörn Rohde tha se tatimpaguesit gjermanë kanë kontribuar me 6 milionë euro në ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, i cili do të përmirësojë cilësinë e lumenjve, liqeneve dhe ujërave nëntokësore dhe në këtë mënyrë do të përmirësojë ndjeshëm shëndetin dhe cilësinë e jetesës së rreth 30.000 qytetarëve të Kosovës.

"Unë sinqerisht vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer me Zvicrën dhe zbatimin e jashtëzakonshëm përmes Bankës Zhvillimore KfW, si dhe angazhimin e partnerëve tanë të çmuar kosovarë”, tha Rohde.

Ambasadori zviceran Thomas Kolly tha se Zvicra vazhdon të mbështesë sektorin e ujërave në Kosovë.

"I nisur së bashku me qeverinë gjermane dhe atë të Kosovës, investimi zviceran prej 8 milionë eurosh ka mundësuar ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, si dhe zëvendësimin dhe riparimin e rrjetit të kanalizimit, nga i cili do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Gjakovës, dhe njëkohësisht do të kontribuojnë në mbrojtjen afatgjatë të burimeve ujore në Kosovë dhe Shqipëri”, theksoi Kolly.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe Drejtori Menaxhues i KRU Gjakovës, z. Hasan Krasniqi.

Kostoja totale e projektit arrin 17 milionë euro. Zvicra dhe Gjermania kanë marrë përsipër pjesën më të madhe të investimit, ndërsa pjesa e mbetur prej 3 milionë euro financohet nga Komuna e Gjakovës.

Paralelisht, Gjermania aktualisht po e mbështet Ujësjellësin Rajonal të Gjakovës me një grant shtesë në vlerë prej 17.5 milionë euro, nga i cili do të përfitojnë njësoj Peja, Gjakova dhe Prizreni.

Fokusi në këtë rast është vendosur në rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe ndarjen e ujërave e akumuluara nga të reshurat, nga rrjeti i ujërave të zeza me qëllim për të ulur më mënyrë domethënëse kostot për komunat.

Programi i ujërave të zeza synon gjithashtu mbrojtjen e burimeve ujore të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe veçanërisht mbrojtjen nga ndotja e mëtejshme të lumit Drin që derdhet në Shqipëri, si dhe Liqenit Shqiptar në territorin e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 maj 2023

- Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO në partneritet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe Deutsche Welle, mbajnë konferencën përmbyllëse të ciklit të dytë të programit “Transmetuesit e Paqes: Fuqizimi i gazetarëve të rinj si raportues të paqes”. (Salla e Konferencave “Orion”, ora 9:30)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektëligjin për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike shënon Ditën Botërore pa Duhan me moton “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”. (Ndërtesa e Institutit, ora 10:00)

- Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” do të ndërmarrë aksion për shkyçje në tri objekte banesore në Prishtinë. (Nisja e organizuar nga objekti i KRU “Prishtina”, Emshir, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla salla C 301, ora 11:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton në Komisionin për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare, të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:30)

- Promovohet libri "E vërteta e aktorit" e autorit Naim Berisha. (Amfiteatri i Bibliotekes Kombëtare, ora 12:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mban konferencë për medie lidhur me situatën aktuale në veri. (Selia e LDK-së te Qafa, ora 13:30)