06 Maj 2024

Mineralet kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit

Prishtinë, 11 prill - Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i  Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme diskutoi për Listën e rentave minerare.

Para anëtarëve të Komisionit, fillimisht foli përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Ismet Shala, i cili sqaroi se Ministria që ai përfaqëson në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe faktorët e  tjerë relevant, kanë formuluar këtë listë për të cilën shprehu mendimin se është e analizuar dhe e studiuar mirë.

Ai në vijim i njoftoi të pranishmit për nivelin e paraparë të rentës minerale, e cila për mineralet metalore (argjendi, ari, mineralet e platinës, hekuri, alumini, bakri, piriti, galiumi, kadmiumi etj.) ishte paraparë të jetë 5%.

Për mineralet industriale, 4.50 %, mineralet kimike 2 deri në 4%, mineralet teknike dhe mineralet zjarrduruese 4%.

Ndërkaq, renta për mineralet e energjetikës (qymyri), ishte paraparë të jetë 3 euro për një ton. Edhe përfaqësuesi i  Ministrisë së Financave vlerësoi se Lista minerare është në harmoni me interesat e komunitetit të biznesit dhe i përgjigjet realitetit, ndërkaq, njoftoi se gjatë hartimit të saj kanë bashkëpunuar ngushtë me MZHE-në.

Duke dhënë vlerësimin për Listën minerare, udhëheqësi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Ahmet Tmava, nga ana e tij tërhoqi vërejtjen se renta minerale ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit, andaj kërkoi angazhim dhe zbërthim edhe më të madh të përmbajtjes së saj.

Ai po ashtu vlerësoi se renta për disa minerale nuk duhet të jetë fikse dhe kërkoi që të rishikohet.

Për rentën minerale në këtë takim u shprehën edhe përfaqësuesit e disa ndërmarrjeve minerale.

Drejtori i kompanisë ” Feronikel” Janis Matatis, vlerësoi se rentat e parapara janë të larta dhe kërkoi uljen e tyre. Nevojën e uljes së rentave, Matatis e ilustroi me faktin se “Feronikel” për shkak të çmimit të lartë të rentave është e detyruar të importojnë xehe nga Maqedonia, Shqipëria Greqia e vende tjera, duke mos shfrytëzuar mineralet në Kosovë ndërsa shkak i kësaj sipas tij janë rentat e larta minerare.

Në favor të uljes së rentave u shprehën edhe përfaqësuesit e kombinatit metalurgjik “ Trepça”, kompania “Shar Cem” dhe përfaqësuesit e shoqatës” Zhavori”.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)