19 Mars 2024

Me mbi gjysmë milioni euro humbje mujore ka operuar Trepça në vitet 2019 -2021

Prishtinë, 23 dhjetor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP Trepça Sh.A” për periudhën 2019-2021.

Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se  “Trepça” Sh.A nuk ka  arritur të jetë efikase dhe efektive në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerare, me synim të tejkalimit të operimit me humbje mesatare mujore prej 620,307€ dhe arritjes së rentabilitetit.

“Trepça” Sh.A nuk ka arritur të krijojë as parakushtet e duhura për operim të cilat do të siguronin shfrytëzim efikas dhe fitimprurës të burimeve minerare.

Rezultatet e auditimit kanë nxjerr në pah dobësi dhe mungesë efektiviteti në sistemin e kontrollit të brendshëm që do të mundësonin produktivitet të lartë në nxjerrjen e xehes, përpunimin dhe pasurimin e mëtejshëm të saj.

“Analizat e indikatorëve kyç të performancës financiare kanë rezultuar me tregues negativ për gjendjen e rënduar financiare që e ka përcjellë kompaninë ndër vite."

"Teknologjia dhe infrastruktura e vjetëruar në Trepça Sh.A, si dhe mungesa e investimeve kapitale kanë ndikuar në produktivitet të ulët."

"Përderisa rrjedhjet (humbje) e mëdha të metaleve në steril gjatë procesit të flotimit të xehes ishin rezultat i teknologjisë së vjetëruar dhe mungesës së investimeve kapitale dhe mos standardizimit të procesit të punës në flotacione”, theksohet në raport.

Gjithashtu, “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të sigurojë menaxhim optimal të burimeve njerëzore në procesin e prodhimit. Kjo, si rezultat i mungesës së analizës dhe identifikimit të nevojave për angazhim të stafit në prodhim nëpër njësi biznesore, me synim të ngritjes së produktivitetit.

Shpallja e konkurseve të paplanifikuara në plan të biznesit, tejkalimi i stafit të punësuar në njësitë biznesore në krahasim me shpalljen e konkursit publik si dhe angazhimi i punëtorëve me punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta pa shpallje të konkursit publik, janë vetëm disa nga parregullsitë e shumta të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të cilat kishin rezultuar edhe me shpenzime shtesë gjatë periudhës 2019-2021.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca,  ka deklaruar se “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të vendos sisteme dhe kontrolle të brendshme adekuate të cilat do ta mbështesnin arritjen e performancës financiare dhe operative pozitive, me theks në procesin e prodhimit.

Në raportin e auditimit janë dhënë 22 rekomandime, 3 për Qeverinë e Kosovës dhe 19 për “Trepça” Sh.A. me qellim të përmirësimit të procesit të prodhimit në përgjithësi dhe forcimin e kontrolleve të brendshme në ndërmarrje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)