03 Maj 2024

Gazprom, konkuron të blejë Albpetrol përmes NIS të Beogradit

Tiranë, 12 korrik - Kompania ruse, “Gazprom”, është interesuar për tregun shqiptar të naftës dhe gazit e që po konkretizohet me pjesëmarrjen e kompanisë në tenderin e datës 26 korrik, ku pritet të paraqiten ofertat e privatizimit të “Albpetrol”.

Gazeta “Shqip” mëson listën e konkurrentëve, pra të firmave që pritet të marrin pjesë në tender, ku mes tyre janë edhe gjigantët e naftës dhe gazit në Europë dhe më tej.

Zhvillimet kanë qenë intensive, sidomos në periudhën kur politika ishte e përqendruar në zgjedhjen e presidentit, ndërsa kanë kulmuar të premten e kaluar, kur Ministria e Ekonomisë, në prani të konsulentit “Pattom Boggs” organizoi një takim me pesë kompanitë konkurrente në tender, mes tyre dhe “Gazprom” me tre përfaqësues.

Nga burime jozyrtare mësohet se kompania ruse ka zhvilluar disa takime me drejtues të ministrisë, duke konfirmuar interesin konkret për blerjen e ndërmarrjes shtetërore të naftës.

Zyrtarët e ministrisë, në mbledhjen me firmat e interesuara, ka paraqitur një ekspoze të procesit të privatizimit, të drejtat e shtetit dhe të privatit pas shitjes së “Albpetrol”, planin e biznesit, investimin, mjedisin e deri te trajtimi i punonjësve që do të dalin në asistencë. Mësohet se për disa çështje teknike, ministria nuk ka qenë konkrete në përgjigje, sidomos në pjesën e vlerës së aseteve.

Kompania ruse kishte shprehur disa herë të shtrihej më tutje në Ballkan. E pozicionuar në disa vende të rajonit, zgjerimi i “Gazprom” në Shqipëri i jep mundësi rusëve të dalin edhe në Detin Adriatik, me sytë drejt Perëndimit (përveç linjave të veriut në Europë).

Pika e fortë e rusëve është prania e tyre në Serbi, konkretisht në rafinerinë e naftës NIS (Nafta e Industrisë Serbe), ku zotërojnë 51 për qind të aksioneve dhe pjesa e mbetur kontrollohet nga shteti dhe biznesmenë serbë.

Rafineria (në jug të Vojvodinës) është e njohur për aktivitetin e saj dhe zgjerimin në disa vende të rajonit dhe do të shërbejë si kriter (përvoja) në pjesëmarrjen në tenderin e 26 korrikut 2012.

Pjesëmarrja e kësaj kompanie lidhet edhe me faktin se METE-s i ka shtuar “Albpetrol”-it me anë të një licence të drejtën e hapjes së një rafinerie. Pra, kush blen ndërmarrjen shtetërore të naftës në vend, ka të drejtë të hapë edhe një pikë rafinerie dhe gjasat janë që zhvillimi i këtij objektivi të realizohet pranë Durrësit, në Porto Romano, aty ku shteti ka lënë disa toka në dispozicion për “park industrial”.

Plani më i fundit i “Gazprom” për Ballkanin përmes NIS ishte hapja e 120 stacioneve të gazit në Rumani, deri në fund të 2014-s, pjesë e planit të zgjerimit prej 1.5 miliardë eurosh. Kompania pritet të investojë 500 milionë euro deri në 2015 dhe rreth 40 për qind e këtij investimi do të shkojë për zgjerimin e operacioneve në Bullgari, Bosnjë dhe Rumani, ndërsa do ta zgjerojë rrjetin e shitjes me pakicë në Serbi me 250 pika furnizimi.

Tenderi do të hapët më 26 korrik dhe 30 ditë më pas (afati maksimal) do të bëhet vlerësimi i ofertave për vlefshmërinë. Pas kësaj etape, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të nisë negociatat me kompanitë e përzgjedhura si “finaliste”, fituesi do të shpallet pas tre muajve, që përkon me nëntorin, periudhë kur Shqipëria feston 100-vjetorin e pavarësisë, fill pas kalimit të pasurisë kombëtare te privati.

Në rafinerinë e naftës NIS (Nafta e Industrisë Serbe), rusët zotërojnë 51 për qind të aksioneve

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)