02 Maj 2024

Zgjerohet përkrahja për sektorin e bujqësisë

Prishtinë, 4 shkurt - Fermerët dhe agropërpunuesit në gjithë territorin e Kosovës edhe sivjet do të përkrahen përmes granteve dhe subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Tashmë kjo ministri ka hapur edhe periudhën për aplikim për projekte të zhvillimit rural, të cilat i përkrah përmes granteve investive në masën prej 60-80 për qind në vlerën e përgjithshme të investimit.

Fermerët dhe agropërpunuesit tani mund të aplikojnë për të përfituar grante investive në sektorin e blegtorisë për ndërtimin e stallave të reja dhe kompletimin e infrastrukturës përcjellëse në ferma, për investime në sektorin e mishit, si trashjen e viçave e broilerëve dhe për investime në sektorin e vezëve.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, tregon se gjatë vitit 2014-të fermerët do të përkrahen edhe në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe atyre të peshkatarisë, duke përfshirë sektorin e përpunimit të qumështit, mishit dhe sektorin e përpunimit të pemëve dhe perimeve, përfshirë edhe prodhimin e verës.

“Përpos këtyre, fermerët në sektorin e hortikulturës, do të përkrahen në investimet e tyre në ngritjen e pemishteve me mollë, dardhë, kumbullë, vishje, dredhëza, mjedra e manaferra dhe në infrastrukturën përcjellëse të këtyre pemishteve. Pra, ka zgjerim të programit edhe në kultura të reja bujqësore.\"

\"Ndërsa, kultivuesit e perimeve do të mbështeten, si në ngritjen e serrave, ashtu edhe në infrastrukturën përcjellëse të tyre”, thotë zëdhënësi Behramaj, i cili gjithashtu sqaron se të gjitha mjetet që nuk u janë ekzekutuar fermerëve apo që janë ekzekutuar pjesërisht në vitin e kaluar, do të ekzekutohen brenda këtyre dhjetë ditëve.

Sipas tij, përmes një mase të veçantë do të mbështeten edhe fermerët për ujitjen e tokave bujqësore, ku përfitues të kësaj mase do të jenë kompanitë e ujitjes, komuna dhe shoqatat e përdoruesve të ujit.

Ministria e Bujqësisë, këtë vit do të vazhdojë ta mbështes sektorin e drithërave përmes pagesave direkte për njësi të sipërfaqes së mbjellë me kulturën e grurit, farës për grurë, misrit dhe lulediellit, ku niveli i mbështetjes do të jetë 125 euro për një hektarë grurë, 225 për një hektar të mbjellë me farë gruri, 100 euro për një hektarë të mbjellë me misër dhe me nga 100 euro për një hektar të mbjellë me lulediell.

Ndryshe, thirrjet për aplikim për këto masa janë hapur të hënën dhe periudha e aplikimit do të jetë e hapur 45 ditë nga dita e publikimit.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)