29 Prill 2024

Synohet diversifikimi i fermave dhe ekonomive rurale

Prishtinë, 23 shkurt – Zhvillimi rural nuk mund të bëhet pa diversifikimin e fermave dhe aktiviteteve alternative në zonat rurale. Nuk mund të bëhet as pa i rritur investimet e drejtpërdrejta në bizneset që operojnë nëpër këto zona dhe pa e përmirësuar infrastrukturën dhe mirëmbajtur trashëgiminë rurale.

“Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve” është një masë e re mbështetëse, për të cilën Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur periudhën e aplikimit për banorë të zonave rurale, fermerë dhe agrobiznese.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, thotë se mbështetja për zhvillimin rural tashmë është zgjeruar, duke përfshirë edhe shumë produkte bujqësore, të papërkrahura deri më tash.

Në kuadër të masës për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve, ai tregon se sivjet do të gjejë mbështetje edhe tregtimi, prodhimi dhe përpunimi i mjaltit, barishteve, frutave pyjore, bimëve mjekuese, kërpudhave, tregtimi e përpunimi i qumështit të deleve dhe dhive, por edhe ndërtimi i qendrave për grumbullim, paketim dhe ruajtje të prodhimeve bujqësore, në avancimin e linjave prodhuese dhe përpunuese, si dhe në marketingun e prodhimeve të tyre.

“Intensiteti i përkrahjes publike me grante investive për projektet e kësaj mase arrin deri në 65 për qind të shpenzimeve të pranueshme të investimit, por shpenzimet janë të kufizuara, ku minimalet për projektet e kësaj mase janë 3 mijë euro, ndërsa shpenzimet maksimale të pranueshme prej ministrisë arrin deri në 20 mijë euro“, tha zëdhënësi Behramaj, duke sqaruar se periudha e aplikimit është e hapur deri më 25 mars.

Ndryshe, për të përfituar grante investive për tregtimin, prodhimin dhe përpunimin e mjaltit, aplikuesit duhet të dëshmojnë se kanë së paku 50 koshere dhe më së shumti 500 koshere. Për të përfituar grante për investime në përpunimin e barishteve, bimëve mjekuese, frutave pyjore dhe kërpudhave të grumbulluara, aplikuesit duhet të jenë të licencuar për grumbullimin e këtyre produkteve bujqësore nga Autoriteti Kombëtar i Pyjeve.

Ndërsa, për të përfituar përkrahje në investimet për përpunimin në fermë dhe tregtimin e perimeve, frutave, barishteve, erëzave, bimëve mjekuese, kërpudhave dhe qumështit të deleve e dhive, aplikuesit duhet të demonstrojnë në projekt propozimin e tyre teknik, që së paku 50 për qind e lëndës së parë të përpunuar është prodhuar në fermën e tyre. Përveç kësaj, për përfitimin e granteve nga Ministria e Bujqësisë për investime në përpunimin e qumështit të deleve dhe dhive, aplikuesit duhet të kenë së paku 50 dele ose 30 dhi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)