02 Maj 2024

Strategjia bujqësore, në përputhje me politikat e BE-së

Prishtinë, 6 nëntor - Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, në shtatë vitet e ardhshme do të jetë në përputhje të plotë me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian.

Të gjitha këto politika, do të përfshihen në Strategjinë dhe Planin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020, i cili ka filluar të përgatitet qysh sot nga grupet punuese që ka formuar Ministria e Bujqësisë, ku bëjnë pjesë edhe shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare, profesorë të Fakultetit të Bujqësisë dhe shumë palë të tjera të interesit.

Në diskutimin e parë publik për hartimin e Strategjisë dhe Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, duke folur për rëndësinë e kësaj strategjie, tha se ajo do të shërbejë edhe si udhërrëfyes për donatorët e sektorit, pasi aty do të paraqiten në hollësi edhe shumë nga hapat që duhet t\'i ndërmerr Kosova për të ristrukturuar sektorin agro-rural dhe për të avancuar pozicionin e saj karshi BE-së.

Kjo, sipas Stavilecit, do bëhet pasi që në të ardhmen edhe Kosova do të ketë qasje në fondet strukturale të BE-së.

“Objektiv kryesor i politikave bujqësore të adresuara në këtë strategji, do të jetë zhvillimi i bujqësisë sipas modelit evropian, një bujqësi shumëfunksionale, e qëndrueshme dhe konkurruese. Besoj fuqishëm që implementimi i kësaj strategjie do ta bëjë të mundur këtë. Madje do të bëjë të mundur që të krijojmë dhe përparësi konkurruese, sepse mundëson përqendrimin e kapaciteteve tona për t’i shfrytëzuar në mënyrë efikase resurset agro-rurale që posedojmë si shtet”, tha ministri Stavileci.

Ai tha se rritja e konkurrencës në të gjithë sektorët e bujqësisë, rritja e qëndrueshmërisë së fermave, promovimi i organizatave të ushqimit, menaxhimi i rrezikut në bujqësi, restaurimi, ruajtja dhe përmirësimi i ekosistemeve të varura nga bujqësia dhe pylltaria, promovimi i efikasitetit të resurseve, zvogëlimi i varfërisë dhe zhvillimi ekonomik në zonat rurale, janë prioritete dhe do të shërbejnë si bazë për hartimin e kësaj strategjie.

Në Strategjinë dhe Planin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020, sipas ministrit Stavileci, do të përfshihen edhe shumë sektorë dhe nënsektorë të rinj, si dhe masat që duhet të ndërmarren për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

“Disa prej këtyre sektorëve ne do t’i përfshijmë që nga viti i ardhshëm, sepse për herë të parë në vitin e ardhshëm po planifikojmë të përkrahim edhe sektorin e mishit në prodhim dhe përpunim, kultivimin e perimeve në fushë të hapur, blerjen e mekanizmit bujqësor, pastaj sektorin e bimëve mjekuese e frutat e malit dhe po bëjmë përpjekje që të mos e lëmë asnjë sektorë dhe nënsektorë të bujqësisë pa i ofruar përkrahje të drejtpërdrejtë financiare”, tha ministri Stavileci.

Ndërsa, Michaela Pikler, udhëheqëse e projektit të binjakëzimit me BE-në, tha se qëllimi i këtij takimi është që të trajtohet perspektiva e bujqësisë kosovare dhe të gjinden mënyrat se si do të përkrahen fermerët në zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

 “Duhet të shikohen mënyrat se si do të ndihmohen fermerët në mënyrë që ata të funksionojnë më mirë, të hyjnë në tregun global dhe të ketë një reformë të përbashkët bujqësore. Ne e shohim se ka shumë sfida para nesh, por është e sigurt se në janar të vitit 2014, ju do të keni në fuqi reformën e përbashkët evropiane për bujqësi dhe do të parashihen edhe skenarët e mundshëm për të ardhmen”, tha Pikler.

Ndryshe, Strategjia dhe Plani për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020, e cila do të finalizohet në fund të vitit 2013, do të kontribuoj në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në rritjen e aftësisë konkurruese të fermerëve, në zhvillimin e zonave rurale, në prodhime cilësore dhe në ruajtjen e mjedisit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)