29 Prill 2024

Stavileci: Pylltaria është njëri prej sektorëve më vital

Prishtinë, 1 shkurt - Projekti i binjakëzimit i BE-së “Mbështetje e mëtejshme e menaxhimit të qëndrueshëm të pylltarisë” ka përfunduar fazën e parë të implementimit në Kosovë.

Në qendrën informative dhe kulturore të BE-së në Prishtinë, sot u prezantuan rezultatet fillestare të implementimit të këtij projekti, kohëzgjatja e të cilit është 24 muaj.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se përkrahja e ofruar nga donatorët në sektorin e pylltarisë është duke ndikuar në fuqizimin dhe afrimin e këtij sektori me vendet e BE-së, por gjendja në këtë sektor qëndron ende larg asaj çfarë dëshirojmë, sepse pylltaria është njëri prej sektorëve më vital, të cilit nuk i është kushtuar vëmendje sa duhet në të kaluarën.

“Natyrisht se nuk është e lehtë, për shkak të asaj çfarë ka ndodhur në të kaluarën, por ne i kemi vënë hapat e parë drejtë përmirësimit, megjithëse gjendja në këtë sektor akoma nuk është e mirë”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se njëri ndër hapat e ndërmarrë ka qenë edhe bartja e disa kompetencave në nivelin komunal.

Ai ka thënë se prerjet ilegale vazhdojnë të jenë problemi kryesor në sektor me të cilin po ballafaqohen komunat dhe ministria.

Ndërsa, Christof Stock nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Prishtinë, tha se nga përvoja që ka pasur në vende tashmë anëtare të BE-së, projektet e ngjashme kanë qenë modeli më i mirë për ristrukturimin dhe menaxhimin e sektorit të pyjeve.

“Projekti për fokus ka ngritjen e kapaciteteve të ministrisë dhe institucioneve të tjera që menaxhojnë me pyjet. Komunat tashmë kanë rol më të madh në mbrojtjen e pyjeve dhe mbrojtja e tyre është ndër pikat më të rëndësishme për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve. Ne tani po hyjmë në fazën e dytë të implementimit të projektit dhe duhet të  bëjmë përpjekje shtesë, në mënyrë që projekti të jetë i suksesshëm” deklaroi Stock.

Projekti i binjakëzimit i BE-së “Mbështetje e mëtejshme e menaxhimit të qëndrueshëm të pylltarisë” ka filluar të implementohet në nëntor të vitit 2010 dhe ai është duke u menaxhuar nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Kosovë.

Deri më tani kanë përfunduar vlerësimet e situatës fillestare në nëntë komponentët e projektit, pra në komponentin e rrjetit rrugor të pyjeve, në atë të prerjeve ilegale, në zhvillimin e fidanishtes pyjore, në menaxhimin e parkut nacional dhe biodiversitetit, në menaxhimin e zjarreve pyjore, menaxhimin e gjuetisë dhe shtazëve të egra, në fuqizimin e pronarëve privat pyjor, në bioenergjinë nga masa drusore dhe në ndërtimin e kapaciteteve në administratën pyjore.

Në shumicën prej këtyre komponentëve ka filluar implementimi i planeve të veprimit, ndërsa për disa prej tyre ende janë duke u hartuar politikat dhe strategjitë përkatëse.

 Po ashtu, deri më tani janë realizuar edhe gjashtë vizita studimore, janë implementuar tre masa të parapara për punë praktike, janë trajnuar 35 ekspertë kosovarë në shtetet anëtare të BE-së dhe kanë përfunduar 680 ditë pune të ekspertëve nga Italia, Bullgaria dhe Austria nga gjithsej 1400 ditë pune të parapara me projekt.


Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 3 milionë €, ndërsa kontributi i BE-së është gjithsej 2.7 milionë €.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)