03 Maj 2024

Shtohet cilësia e prodhimeve vendore të qumështit

Prishtinë, 19 shtator - Cilësia dhe siguria e qumështit vendor dhe nënprodukteve të tij, tashmë po kontrollohet edhe përmes projektit për analizimin e mostrave të qumështit.

Rezultatet e implementimit të këtij projekti janë mjaft inkurajuese dhe partneriteti i shumë organizatave qeveritare dhe joqeveritare, sipas të pranishmëve në prezantimin e zbatueshmërisë së tij, ka bërë që ndikimi të jetë i madh edhe në avancimin e sektorit të qumështit.

Përveç avancimit të sektorit, ministri i Bujqësisë, Blerand  Stavileci, tha se ky projekt ka rritur edhe sigurinë dhe cilësinë e prodhimeve të qumështit, si dhe ka ndikuar edhe në rritjen e besimit të konsumatorëve në prodhimet vendore.

“Sektori i qumështit është njëri prej sektorëve që ka shënuar përparimin më të madh, pasi kemi rritur edhe investimet dhe tashmë po shihen rezultatet. Nëse shohim edhe nëpër qendrat tregtare, vërejmë se dalëngadalë në to po zënë vend prodhimet vendore, duke i zëvendësuar ato të importit”, tha ministri Stavileci.

Në krahasim me vitet e kaluara, përveç pagesave direkte dhe granteve që i ndajnë për prodhimin dhe përpunimin e qumështit, ai tha se sivjet do të ketë edhe pagesa direkte për shtimin e cilësisë së qumështit.

Në anën tjetër, ambasadorja e SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, tha se të gjitha palët e përfshira kanë për qëllim që përmes mbështetjes t’i bëjnë prodhuesit vendorë edhe më konkurrues me prodhuesit e huaj brenda dhe jashtë vendit.

“Ky program ka për qëllim sjelljen e teknologjisë prodhuese dhe përpunuese në mënyrë që Agjencia e Ushqimit ta kontrollojë edhe më mirë cilësinë e qumështit të përpunuar. Krahas kësaj, kjo agjenci ka arritur që gjatë këtyre viteve t’i shtojë edhe kontrollet fitosanitare”, tha ambasadorja Jacobson.

Sipas Valdet Gjinovcit, kryeshef i AUV-it, projekti për analizimin e mostrave të qumështit, ka ndikuar edhe në zhvillimin e një programi të qëndrueshëm për prodhuesit dhe përpunuesit e industrisë së qumështit.

“Përmes kësaj mbështetje kemi ndikuar në ngritjen e cilësisë së qumështit, ku në kuadër të këtij projekti kemi arritur që t’i trajnojmë edhe fermerët për aplikimin e praktikave më të mira higjienike”, tha kryeshefi Gjinovci.

Ndërsa, drejtori i programit “Mundësitë e Reja në Bujqësi”, Mark Wood , tregoi se përmes këtij projekti, 1700 fermerëve iu është mundësuar që të marrin rezultatet e analizave të qumështit përmes sistemit të mesazheve.

Sipas tij, sistemi i shpërndarjes me SMS u mundëson fermerëve që të marrin rezultatet nga laboratori kombëtar brenda 24 orëve nga momenti i dorëzimit të mostrave të qumështit të papërpunuar.

Ndryshe, realizimi i projektit për analizimin e mostrave të qumështit është mundësuar nga Ministria e Bujqësisë, Solidar Suiss, USAID-KPEP, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit dhe Shoqata e Përpunuesve të Qumështit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)