04 Maj 2024

Shtohen sipërfaqet e dredhëzës

Skenderaj, 8 qershor - Përkrahja financiare për kulturën bujqësore të dredhëzës, ka ndikuar në shtimin e sipërfaqeve të mbjella me këtë kulturë.

Përmes këtij nënsektori, Kosova po e përmirëson imazhin bujqësor dhe po arrin të identifikohet edhe jashtë kufijve të vendit tonë.

 Në ditën e dredhëzës, e cila u shënua sot në Llaushë të Skenderajt, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, ju premtoi fermerëve që merren me kultivimin e kësaj kulture, se Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë ta përkrah këtë nënsektor edhe në të ardhmen.

Ai tha se vendi ynë mund të mburret me prodhimtarinë e dredhëzës në vitet e fundit. “Ne kemi rritur përkrahjen financiare për kultivuesit e dredhëzës, për ndërtimin e  plantazheve të reja dhe jo vetëm për këtë kulturë, por edhe për kulturat tjera të pemëve të imëta, si manaferrën e mjedrën dhe kështu dalëngadalë nënsektorin e frutave të imëta po e bëjmë njërin ndër nënsektorët më të rëndësishëm”, tha ministri Stavileci, duke shtuar se me kulturën e dredhëzës po e përmirësojmë imazhin bujqësor dhe potencialisht po krijojmë kultura bujqësore, me të cilat vendi mund të identifikohet edhe jashtë kufijve të vendit tonë.

Krahas kësaj, ministri bëri të ditur se me prodhimtarinë sezonale të dredhëzës, Kosova arrin t’i përmbush 100 për qind kërkesat e tregut vendorë dhe tregoi se kanë realizuar edhe premtimet që kanë dhënë për kultivuesit e dredhëzës.

“Ne edhe këtë vit kemi mbajtur premtimin që kemi dhënë vitin e kaluar. Fermerëve që kultivojnë dredhëzën dhe ballafaqohen me problemin e fatkeqësive natyrore, siç ka ndodhur edhe vitin e kaluar që të kenë dëme, ju kemi mundësuar të përfitojnë grante për rrjetat kundër breshrit në mënyrë që të evitojmë këtë problem”, tha Stavileci.
Nënkryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, tregoi se në këtë komunë janë shtuar sipërfaqet e mbjella me kulturën e dredhëzës.  Kjo, sipas tij, tregon së në këtë nënsektor është duke u bërë punë shumë e mirë.

Në anën tjetër, Drejtori i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK), Zenel Bunjaku, tha se kjo kulturë është ndër më fitimprurëset në vendin tonë. Ky nënsektor, sipas tij po avancohet çdo ditë e më shumë. Gjithashtu, MBPZHR-ja dhe komuna e Skenderajt sot kanë ndarë mirënjohje dhe shpërblime edhe për kultivuesit më të mirë të dredhëzës.

Në vitin paraprak, sipërfaqe të mbjella me dredhëz kanë qenë 138 hektarë, ndërsa në këtë vit janë gjithsej 153 hektarë. Kjo kulturë bujqësore kultivohet kryesisht në regjionin e Dukagjinit dhe atë të Anamoravës, mirëpo viteve të fundit kjo është duke u kultivuar edhe në regjionin e Mitrovicës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)