29 Prill 2024

Shpërblehen të suksesshmit e 2013-ës në bujqësi

Prishtinë, 15 shkurt - Për të arriturat në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, Ministria e Bujqësisë ka përzgjedhur 14 fermerët më të dalluar për vitin 2013.

Në mesin e këtyre fermerëve, si më të suksesshmit u përzgjodhën fermerja Tabe Krasniqi nga sektori i prodhimtarisë së qumështit dhe agropërpunuesi Alajdin Fusha, njëherësh edhe pronar i kompanisë “Abi” nga Prizreni, të cilët u shpërblyen me nga 1500 euro.

Ndarja e këtyre shpërblimeve, të cilat sivjet janë financuar nga Procredit Bank, është bërë sot në manifestimin tradicional “Fermeri i Vitit”, organizim ky i cili është mbështetur edhe nga programi i USAID-it “Mundësitë e Reja për Bujqësi”.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se këtyre dhe shumë fermerëve të tjerë, të cilët ishin bartësit kryesor të zhvillimeve pozitive në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, nuk do t’ju mungojë përkrahja institucionale asnjëherë. “Krahas përpjekjeve të shtuara për përafrim dhe harmonizim të politikave tona me ato të BE-së, ne synojmë që t’i profesionalizojmë dhe t’i profilizojmë fermerët tanë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta rrisim prodhimtarinë dhe të bëhemi më konkurrues me vendet e rajonit. Synojmë që të kemi më shumë fermerë liderë, sikurse këta fermerë këtu, të cilët janë potencial shumë i rëndësishëm për të përvetësuar praktika të mira bujqësore edhe fermerët e vegjël prej tyre”, tha ministri Stavileci.

Fatmir Selimi nga programi i USAID-it “Mundësitë e Reja për Bujqësi”, tha se përmes këtij projekti kanë arritur të përkrahin shumë fermerë në kultivimin e 10 kulturave të reja bujqësore. “Ne kemi identifikuar 10 kultura të reja bujqësore me potencial për zhvillim në Kosovë dhe nëpërmjet këtyre kulturave kemi tentuar që të ndërrojmë strukturën e kulturave që deri më tani janë prodhuar në Kosovë”, tha Selimi.

Ndërsa, drejtori gjeneral i Procredit Bank, Ilir Aliu, ka treguar se deri më tash kjo bankë ka arritur të mbështesë shumë agrobiznese kosovare dhe se do të vazhdojnë t’i mbështesin edhe në të ardhmen. “Agrobiznesi dhe bujqësia janë ndër sektorët kyç në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ne përmes fondit garantues për kredi bujqësore, vitin e kaluar kemi mbështetur këtë sektor me rreth 5 milionë euro kredi, por me kushte më të volitshme”, tha Aliu.

Ndryshe, vlera e investimeve të Ministrisë së Bujqësisë në vitin e kaluar arrin në 26.7 milionë euro dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë janë përkrahur rreth 25 mijë fermerë.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)