02 Maj 2024

Shitja ditore e mjedrave dhe manaferrave arrin në 2500 euro

Prishtinë, 19 gusht - Shitja e dredhëzave vjeshtore, mjedrave dhe manaferrave të ekspozuara në sheshin “Nëna Terezë” është e kënaqshme për kultivuesit e tyre.

Rreth 700 kg ose rreth 2500 euro është mesatarja e shitjes ditore, që për gjashtë ditë me radhë po arrijnë të realizojnë rreth 13 kultivues, të cilët po marrin pjesë në panairin e mjedrës dhe manaferrës në Prishtinë.

E këtyre kultivuesve, që sot u vizituan nga ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci dhe zëvendësdrejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, Chris Edwards, ju premtua mbështetje e mëtejme, si për zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella, ashtu edhe për promovimin e produkteve të tyre nëpër panaire.

Ministri Stavileci tha se tash edhe kultivuesit e pemëve të imëta janë duke i rritur sipërfaqet e mbjella dhe se panairet e tilla do të organizohen edhe viteve të ardhshme.

“Ne si ministri, edhe USAID-i dhe NOA, përmes projekteve të ndryshme jemi duke përkrahur fermerët dhe kultivuesit e pemëve të imëta, si mjedra, manaferra, boronica dhe dredhëza, sepse prodhimtaria e tyre është shumë profitabile dhe rentabile dhe kthimi i investimeve bëhet më shpejt tek këto kultura bujqësore."

"Në të kaluarën ka pas mungesë të këtyre pemëve dhe ne kemi qenë të vërshuar në tregun tonë me prodhime të huaja, ndërsa tash e shohim se një pjesë e madhe e fermerëve po ka mundësi që t’i furnizojë pikat e shitjes dhe supërmarketet, me pemë të imëta të freskëta, por në anën tjetër do ketë edhe mundësi të reja që të kalohet edhe në fazën e përpunimit dhe diversifikimit të prodhimeve të tyre”, tha ministri Stavileci.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i USAD-it, Chris Edwards, tha se sapo kanë promovuar strategjinë e re në Kosovë dhe bujqësia, deri në vitin 2018, do të jetë njëra prej komponentëve më të forta të kësaj strategjie.

“Pata kënaqësinë që t’i provojë disa nga pemët e imëta të fermerëve kosovarë dhe janë të kualitetit të lartë botëror. Kosova duhet të jetë krenare për përparimin e bujqësisë dhe për gjithë punën e suksesshme që është bërë gjatë këtyre viteve në Kosovë”, tha Edwards.

Lansimi i mjedrave të freskëta në tregun e Kosovës dhe lidhja e tyre me supërmarketet është bërë me përkrahjen e programit të USAID-it “Mundësitë e Reja për Bujqësi”, ndërsa qëllim tjetër i këtij organizimi ishte edhe promovimi i varietetit të ri “Polka” të mjedrës dhe varietetit vjeshtor të dredhëzës “Albion”.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, prodhimtarinë e dredhëzës, mjedrës dhe manaferrës sivjet e përkrah me 300 mijë euro, derisa me investimet e bëra gjatë vitit të kaluar ka përkrahur 56 kultivues të pemëve të imëta me rreth 100 mijë euro, për ngritjen e 8.5 hektarëve të rinj me këto kultura bujqësore. Kurse, në vitin 2011 ka përkrahur 39 kultivues të pemëve të imëta me rreth 72 mijë euro për ngritjen e 7.63 hektarëve të rinj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)