28 Mars 2024

SHBA ka rreth 1 milionë fermerë, shumica imigrantë ilegal

SHBA, 14 gusht - Amerikanët janë tepër të ndarë për çështjen e imigracionit të paligjshëm. Konservatorët e kritikojnë administratën Obama për bllokimin e ligjit të debatueshëm të Arizonës që synon identifikimin dhe deportimin e imigrantëve të paligjshëm. Kritikët thonë se ata po u marrin amerikanëve vendet e punës.

Por shumë fermerë amerikanë kanë pikëpamje të ndryshme. Ndërsa vetë amerikanët nuk punojnë më në bujqësi, fermerët po thonë se për të siguruar prodhimet e freskëta në tavolinat e amerikanëve, është e nevojshme puna e imigrantëve të paligjshëm.

Është sezoni kur piqet kungulli në shtetin lindor të Virginias. Një ekip punëtorësh hispanikë punojnë në fushë: mbledhin, lajnë dhe paketojnë perimet, gati për udhëtimin e tyre drejt supermarketeve në Bregun Lindor të SHBA.

Ashtu sikurse breza të tjerë para tyre, imigrantët kanë ardhur në Amerikë në kërkim të një jete më të mire. Shumë prej tyre vijnë në mënyrë të paligjshme, si ky immigrant. Do ta quajmë Martinez për të mbrojtur identitetin e tij.

“Vijmë në kërkim të një të ardhmeje më të mire. Ç’është e vërteta, heqim shumë për kaluar kufirin”.

Ai thotë se ka ecur për ditë me radhë përmes shkretëtirës, i shoqëruar nga një trafikant, të cilit i pagoi 2 mijë dollarë.

Loreto Ventura është bosi i ekipit të punëtorëve, ai tani është shtetas amerikan.  Por ai ishte i paligjshëm kur erdhi në fillim këtu për të punuar, 30 vjet më pare.

“Ata kalojnë nëpër shumë vështirësi, paguajnë para për të ardhur dhe rrezikojnë jetën e tyre për punën. Dhe puna që i pret është tepër e vështirë”.

Punëtorët e fermave e kalojnë ditën të kërrusur, duke mbledhur perimet dhe duke mbajtur pesha të rënda. Dita e punës është e gjatë dhe puna është e vështirë.

Ndër rreth 1 milionë punëtorë të fermave në SHBA, shumica janë imigrantë dhe 25-50 për qind e tyre janë pa dokumente të ligjshme.

SHBA kanë një program, që i jep leje pune imigrantëve. Ky program i lejon punëdhënësit t’i marrin në punë imigrantët ligjërisht. Por fermerët si ky këtu, i cili do që të mbetet anonim, thotë se është një rrugë e gjatë dhe vështirë, me shumë hallka burokratike.

“Çdo fermer që unë njoh do ta shfrytëzonte me kënaqësi programin për të patur dokumente të ligjshme. Por programi është i vështirë të realizohet dhe ai është i kushtueshëm, madje nganjëherë nuk arrin t’i sjellësh njerëzit që do… Vjen koha dhe të mbjellat janë gati për t’u korrur, ndërkoqë njerëzit nuk i ke këtu akoma, dhe gjithshka shkon kot”.

Ai thotë se është përpjekur të punësojë amerikanë, por nuk mund të gjejë numrin e nevojshëm dhe që duan të punojnë në bujqësi.

“E vërteta është se askush nuk i rrit fëmijët për t’u bërë punëtorë ferme”.

Por Jack Martin, nga Federata për Reformën Amerikane të Imigracionit, thotë se kjo nuk është e gjithë historia.

“Sipas meje, është e vërtetë që prindërit kanë aspirata më të larta për fëmijët e tyre, se sa që të bëhen puntorë ferme. Megjithatë, ka një numër të madh të papunësh, të cilët, në se do të fitonin para të mjaftueshme për të jetuar duke punuar në bujqësi, mendoj se do ta bënin një gjë të tillë”.

Zoti Martin thotë se paga, përfitimet dhe kushtet për punëtorët e fermave kanë mbetur relativisht të këqija, për shkak të numrit të madh të imigrantëve të paligjshëm. Ai pranon gjithashtu se kostoja e punësimit të imigrantëve me programin e vizave është e lartë.

“Është e vërtetë se është më e kushtueshme se sa të punësosh imigrantë të paligjshëm, që tregojnë dokumente fallso, ngaqë për punëtorët amerikanë ka rregulla mbrojtëse. .. Dhe ata mund t’i punësosh  në se duan të punojnë në bujqësi…Edhe për punëtorët e huajka rregulla mbrojtëse”.

Ligji që ka të bëjë me programin e imigrantëve me viza pune ka ngecur në Kongres. Ndërkohë, fermerët janë tepër të shqetësuar për masat ndëshkuese ndaj imigrantëve të paligjshëm. Ata thonë se pa patur punëtorët për të mbledhur prodhimet bujqësore, frutat dhe perimet e freskëta do të prisheshin në fushë. Dhe fermat do të rrënoheshin gradualisht.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)