28 Prill 2024

Rreth 70 agrobiznese promovojnë produktet e tyre

Prishtinë, 17 tetor - Pemë, perime dhe shumë produkte tjera bujqësore, do të promovohen deri të shtunën në Panairin e Produkteve Bujqësore, që është hapur sot në qendrën tregtare “Planet Shopping Center” në Prishtinë.

Produktet e tyre bujqësore në këtë panair janë duke i ekspozuar rreth 70 agrobiznese dhe për dallim nga vitet e kaluara, sivjet prodhuesit kosovarë përpos që kanë zgjeruar gamën e prodhimeve, kanë ngritur edhe cilësinë e prodhimeve bujqësore.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, në hapjen e këtij e këtij panairi tha se nga viti në vit po shtohet interesimi për sektorin e bujqësisë dhe në të ardhmen ky sektor do të jetë shtyllë edhe më e fuqishme e zhvillimit ekonomik. Ai tha se janë rritur edhe përkrahja institucionale dhe investimet në këtë fushë.

“Për të kuptuar përkrahjen që po ofrojmë, mjafton të shihet përkrahja financiare që është dhënë viteve të fundit, ku ka dallime të konsiderueshme dhe sot pothuajse nuk ka sektorë apo nënsektorë të bujqësisë, i cili nuk përfiton përkrahje nga Ministria e Bujqësisë.

Për më tepër, programi i vitit të ardhshëm do të pasurohet edhe më shumë dhe do të ketë edhe më shumë masa mbështetëse, por krahas kësaj edhe më shumë buxhet dhe kjo është shenjë e mirë për fermerët dhe agrobizneset, që t’i shtojnë përpjekjet dhe të vazhdojnë me punën e tyre të vyeshme”, tha ministri Stavileci.

Ai tha se mbështetja që është dhënë deri më tash, ka ndikuar që prodhuesit kosovarë të shtojnë prodhimtarinë dhe të ngrisin edhe cilësinë e prodhimeve të tyre.

E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se në kushtet e një industrie të pazhvilluar, bujqësia dhe agrobiznesi janë sektorë ku mund të gjenerohet zhvillimi ekonomik.

“Rëndësia e bujqësisë në zhvillimin ekonomik të vendit është e pakontestueshme me vet faktin se ajo krijon vende të reja të punës, përmirëson bilancin e pagesave në mënyrë që Kosova të mos jetë një vend i eksportimit të parasë dhe mbi të gjitha, përmes këtij sektori po promovohen vlerat e fermerëve kosovarë”, tha Gërxhaliu.


Ndërsa, zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, tha se bujqësia është një nga tri burimet kryesore në të cilat mbështetet zhvillimi ekonomik i një vendi dhe ky sektor tashmë është grupuar tek prioritet qeveritare.


Panairi i Produkteve Bujqësore, i cili organizohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Oda Ekonomike e Kosovës, do të jetë i hapur deri me 20 tetor dhe në të po marrin pjesë edhe katër agrobiznese nga Shqipëria, një nga Greqia dhe dy të tjera nga veriu i Kosovës, përkatësisht nga komuna e Zubin Potokut dhe Zveçanit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)