28 Prill 2024

Qumështorja “Eurolona” bëhet me linja të reja prodhuese

Prishtinë, 4 tetor - Investimet në industrinë e qumështit po i shtojnë çdo vit e më shumë kapacitetet prodhuese dhe përpunuese tek qumështoret e vendit tonë.

Njëra prej qumështoreve që ka rritur kapacitetet është edhe qumështorja “Eurolona” nga fshati Miradi e Epërme e Fushë Kosovës, që sot ka përuruar linjat e reja të prodhimit të qumështit, të cilat do të avancojmë edhe më shumë standardin e prodhimeve të saj.

Me rastin e përurimit të linjave të reja të prodhimit në këtë qumështore, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se investimet të cilat po bëhen në bashkëfinancim me Komisionin Evropian, po ndihmojnë në gjenerimin e vendeve të reja të punës, në shtimin e të ardhurave për fermerë dhe çdoherë e më shumë po bëjnë edhe zëvendësimin e prodhimeve të importit me ato vendore.

“Konkretisht sektorin e qumështit e kemi përkrahur edhe përmes subvencioneve të cilat kanë shënuar rritje nga 30 euro në 50 euro për krerë të lopëve qumështore, ku kemi dyfishim të subvencioneve dhe numër më të madh të krerëve të bagëtisë. Përsëri vitin e ardhshëm ky sektor do të jetë njëri nga sektorët që do të përkrahet më së shumti, sepse me investimet e bëra vlerësohet se kemi rritur për 20 për qind fondin e bagëtisë, kemi rritur përreth 80 mijë ton prodhimtarinë e qumështit dhe përmes investimeve që kemi realizuar vitet e kaluara, ne kemi krijuar edhe 1079 vende të reja të punës vetëm në këtë sektor”, tha ministri Stavileci.

Ndërsa, ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se me politikat e saj, Qeveria e Kosovës po kontribuon çdo ditë e më tepër në avancimin e kompanive kosovare, në ngritjen e prodhimtarisë së tyre dhe mbi të gjitha në rritjen e vlerës së prodhimeve vendore.

“Qeveria e Kosovës, me politikat e saj aktuale çdo ditë e më shumë po e vendos në fokus prodhimtarinë vendore dhe për këtë flet më së miri edhe vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, përmes të cilit institucionet do t’ju japin prioritet kompanive kosovare dhe Eurolona është njëra prej kompanive, e cila do të përfitoj gjithashtu nga kjo mundësi”, tha Kusari-Lila.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, i cili ka bërë të mundshëm realizimin e projekti, tha se ndikimi është mjaft i madh në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë.

“Përmes implementimit të këtij projekti dhe shumë projekteve të tjera, ne kemi arritur që të përmbushim standardet e BE-së dhe përmbushja e këtyre standardeve është një nga parakushtet që këto produkte të eksportohen në tregjet e BE-së”, tha Stock.

Vlera e projektit për krijimin e linjave të reja në qumështoren ”Eurolona”, sipas pronarit të saj Milazim Berishës, arrin vlerën e 565 mijë euro, ku 74 për qind e investimit është mbështetur nga KE-ja.

“Ky investim ka mundësuar që qumështorja t‘i rrisë kapacitetet e grumbullimit, deponomit dhe përpunimit të qumështit prej rreth 490 m²”, tha Berisha.

Ndryshe, përfitues të granteve dhe subvencioneve, në komunën e Fushë Kosovës janë edhe 447 fermerë, në vlerë prej mbi 240 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)