03 Maj 2024

Pyllëzohen 700 hektarë tokë pyjore

Prishtinë, 8 tetor - Rreth 1.8 milionë fidanë, që përfshijnë 700 hektarë tokë të zhveshur pyjore, do të pyllëzohen deri me 1 dhjetor.

Procesi i përvitshëm i pyllëzimeve të reja, që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e realizon përmes Agjencionit Pyjor të Kosovës, sivjet ka filluar me 20 tetor dhe tani është në vlugun më të madh të punimeve në terren.

Kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, thotë se qëllimi i këtij projekti është shtimi i sipërfaqeve të gjelbëruara dhe pyllëzimi i djerrinave të formuara nga dëmtimet e ndryshme.

“Agjencioni Pyjor i Kosovës është duke bërë pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura, që llogariten të jenë rreth 25 mijë hektarë, që nga 20 tetori i këtij viti dhe ky proces do të zgjas deri më 1 dhjetor.

Këtë vit do të mbillen rreth 1.8 milionë fidanë, ku rreth 1.4 milionë i kemi siguruar nga Instituti Pyjor në Pejë, ndërsa pjesën tjetër nga importi”, thotë Zejnullahu.

Përzgjedhja e fidanëve dhe përcaktimi i vendit për pyllëzim, sipas kryeshefit të APK-së, bëhet nga ekspertët e pylltarisë, të cilët përcaktojnë edhe llojet e fidanëve që përshtaten me kushtet klimatike tokësore për pyllëzime dhe që kanë ndikim më të madh në përmirësimin e strukturës pyjore në Kosovë.

Rol të madh, sipas Zejnullahut, veçanërisht në mbikëqyrjen e punimeve, janë duke luajtur edhe komunat.

“Me komuna kemi një bashkëpunim relativisht të mirë dhe roli i tyre në këtë proces ndërlidhet më shumë me mbikëqyrjen e sipërfaqeve që pyllëzohen, sepse dihet tashmë që mbrojtja e pyjeve është kompetencë e tyre.

Ndërsa, të gjitha veprimet tjera, si sigurimi i fidanëve, ashtu edhe financimi i projektit për pyllëzime, bëhet nga APK-ja”, thotë Zejnullahu.

Ai tregoi se përpos pyllëzimeve të reja, në pyje është duke u bërë edhe sanimi i dëmeve që kanë shkaktuar zjarret, damkimi i masës drusore që është dëmtuar dhe janë duke u realizuar edhe aktivitete të tjera silvikulturore për rregullimin e pyjeve të dëmtuara, në të cilat janë të angazhuar rreth 1600 punëtorë.


Agjencioni Pyjor i Kosovës, prej vitit 2004 e deri më tani, ka pyllëzuar gjithsej 3,321 hektarë tokë të zhveshur pyjore.

Ndërsa, regjionet në të cilat po bëhen më shumë pyllëzime, për shkak të sipërfaqeve më të mëdha të papyllëzuara, janë regjioni i Ferizajt, Gjilanit, Mitrovicës, Pejës, Prishtinës dhe Prizrenit.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)