02 Maj 2024

Projektligji nuk merret me bashkësitë fetare, por me zhurmën

Prishtinë, 12 shkurt - Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, ka mbajtur sot dëgjim publik. Në hapje të debatit,  kryetari i komisionit,  Nait Hasani, tha se dëgjimi publik është mundësi e veçantë për përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, organizatat joqeveritare, ekspertët dhe grupet e interesit, që të ofrojnë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre për projektligjin.

Duke folur për këtë projektligj, ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Dardan Gashi, tha se projektligji ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga zhurma, ndërsa i cilësoi tendencioze përpjekjet e disave që këtë projektligj ta paraqesin kundër bashkësive fetare. “Projektligji nuk është kundër ezanit të xhamive, e as kambanave kishtare”, tha ai, dhe shtoi se, projektligji nuk merret me bashkësitë fetare, por me zhurmën.

Që projektligji trajton zhurmën e jo bashkësitë fetare, ishte i mendimit edhe përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Sabri Bajgora.

Ai tha se paqartësitë lidhur me këtë i kanë shkaktuar disa medie të papërgjegjshme. Sipas tij, zvogëlimi i volumit të zërit në mjetet akustike me të cilat janë të pajisura objektet fetare, do të ishte zgjedhje e mirë e kësaj çështjeje. 


Përfaqësuesi i BIK-ut, Bajgora, vlerësoi se paragrafi 2.7 i nenit dy dhe paragrafi 2 i nenit katër duhet ndryshuar. Lidhur me këtë ai njoftoi se BIK-u ka propozuar edhe amendamentet. Ndërsa përfaqësuesi tjetër i BIK-ut, Bahri Sejdiu ngriti nevojën e një qendre për kontrollimin e volumit të zërit, i cili emetohet nga objektet fetare. Lidhur me këtë çështje është shprehur edhe përfaqësuesja e Institucionit të Avokatit të Popullit, Valbona Puka.

Ajo tha se mbrojtja e qytetarëve nga zhurma është përgjegjësi shtetërore, ndërsa kërkoi që kjo të rregullohet duke u bazuar në praktikat më të mira të shteteve të BE-së. Në favor të projektligjit është shprehur edhe Agron Bektashi, drejtor i Qendrës Rajonale për Mjedis.

Ky projektligj, tha ai, nuk është diskriminues. Ndryshe nga parafolësit është shprehur deputeti i Partisë së Drejtësisë (PD), Amir Ahmeti. Ai tha se ky projektligj shkel të drejtat e bashkësive fetare dhe kërkoi ndryshimin e tij.

Anëtarët e tjerë të komisionit, ndërkaq, ndonëse vlerësuan nevojën e ndryshimit të nenit dy dhe katër, vlerësuan se është e nevojshme që të realizojnë një vizitë pune  në Turqi për tu njohur nga afër me praktikat e këtij vendi. 


Ata po ashtu u shprehën të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunim me të gjithë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)