03 Maj 2024

Prodhimtaria organike në trend

Prishtinë, 13 shtator - Gjithnjë e më shumë fermerë në mbarë botën janë duke kultivuar produktet e tyre në mënyrë organike, të cilët nuk përdorin substanca kimike apo gjenetike dhe teknologji të industrisë agrare, mirëpo mbështeten vetëm në dijet ekologjike.

Në Kosovë, kultivimi i këtyre produkteve është ende në fazën e parë të organizimit, por për shkak të prodhimtarisë ekstensive tradicionale në zonat malore dhe mjedisit shumë të pasur, vlerësohet se ka kushte shumë të përshtatshme për prodhimtarinë organike.

Rreth katër hektarë të sipërfaqeve me pemishte, një hektarë me vreshta, një hektarë me grurë, 0.10 hektarë me perime në serra dhe rreth 5 hektarë me bimë mjekësore janë në fazën e konvertimit në prodhimtari organike në Kosovë. Por, këto sipërfaqe janë ende shumë të vogla krahasuar me kërkesat e Bashkimit Evropian, sipas të cilave, minimum një për qind e prodhimtarisë së përgjithshme bujqësore të shteteve duhet të jetë prodhimtari organike.

Krahas këtyre sipërfaqeve që tashmë janë në fazën e konvertimit në prodhimtari organike, Kosova tashmë ka edhe një fermer të çertifikuar si prodhues të mjaltit organik.

“Kam tridhjetë e dy shoqëri bletësh, nga të cilat brenda vitit arrijë të prodhojë mbi 800 kilogramë mjaltë organike.

Por, duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë shëndetësore, kërkesat e konsumatorëve për produktet e mjaltit organik janë shumë më të mëdha, mirëpo tash për tash nuk kam mundësi të shtojë numrin e bletëve”, thotë Ali Rama, fermer i çertifikuar si prodhues i mjaltit organik.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, thotë se përfshirja e praktikave të bujqësisë organike në politikat agrare, në të ardhmen do të mundësojë që të kemi një bujqësi më të qëndrueshme dhe ekologjikisht më rezistente.

“Ne çdo vit e pasurojmë programin tonë vjetor të masave përkrahëse me kultura të reja bujqësore dhe për vitet e ardhshme, duke ditur rëndësinë e prodhimtarisë organike dhe duke parë që ka filluar të shtohet interesimi për konvertime në këtë prodhimtari, patjetër që do t’ju ofrojmë edhe përkrahje financiare, por kësaj tash është duke i paraprirë një analizë më e detajuar dhe jemi duke e rregulluar si fushëveprimtari më mirë edhe ligjërisht“, thotë Behramaj.

Kjo prodhimtari tashmë ka filluar të përkrahet edhe nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK). Drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku, tregon se me projektin që kanë për mbështetjen e bujqësisë organike, synojnë të ngrisin vetëdijen dhe të krijojnë sipërfaqe të reja me produkte organike.

“Ne në kuadër të projektit për bujqësinë organike do të ngrisim një serrë prej 500 metra katrorë me perime, të cilat do të kultivohen në mënyrë organike dhe do të ngrisim disa plantacione me bimë të frutave malore, ku përfitues do të kemi 25 fermerë në të gjithë vendin.

Ky projekt, vlera e të cilit arrin në rreth 82 mijë euro, synon rritjen e prodhimtarisë organike, për të cilën tashmë edhe kërkesat janë të mëdha”, thotë Bunjaku. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)