02 Maj 2024

Presidentja Jahjaga promovon manaferrën vendore

Prishtinë, 21 gusht - Vjeljes së manaferrave në plantacionin e Milam Morinës në fshatin Loxhë të Pejës, sot i kontribuan edhe presidentja Jahjaga dhe ministri Stavileci.

Në kuadër të promovimit të prodhimeve vendore të manaferrës, mjedrës dhe dredhëzës vjeshtore, pas përkrahjes financiare që po i jepet kultivuesve të tyre për rritjen e prodhimtarisë bujqësore, presidentja Jahjaga dhe ministri Stavileci, në mënyrë simbolike përkrahen edhe vjeljen e tyre.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka prodhime cilësore dhe fermerë shumë punëtorë, të cilët me përkushtimin e tyre dhe me përkrahjen institucionale kanë filluar t’i zgjerojnë edhe plantacionet me pemë.

“Pata rastin të shoh për së afërmi punën, angazhimin dhe përkushtimin e familjes Morina këtu në fshatin e Loxhës, përkushtimin e njëjtë sikurse të shumë familjeve të tjera anë e kënd shtetit tonë, që me angazhimin dhe  punën e tyre të vazhdueshme po sjellin në treg shumë prodhime vendore dhe po pasurojnë tavolinat e gjithë qytetarëve të Kosovës me prodhime të mira dhe me prodhime cilësore vendore”, tha presidentja Jahjaga.

Ndërsa, ministri Stavileci, tha se edhe kjo vizitë e përbashkët me presidenten e vendit është si pjesë e javës së promovimit të prodhimtarisë së bimëve të imëta, e cila është organizuar bashkërisht me programin e USAID-it “Mundësitë e Reja për Bujqësi”.

“Ne kemi programe të veçanta mbështetëse për prodhimtarinë e pemëve të imëta që nga viti 2010 e këndej dhe kemi rezultate shumë të mira në prodhim. Dëshmi e këtyre rezultateve janë edhe ato të cilave iu referua presidentja, për panairin, i cili po mbahet në Prishtinë."

"Kjo prodhimtari përkrahet në masë të madhe edhe nga USAID-i dhe, gjithashtu, ne edhe këtë vit kemi përgatitur grante për kultivuesit e këtyre frutave. Sivjet kemi shtuar edhe përkrahjen financiare dhe nga formula që kemi pasur e bashkëfinancimit 50 me 50 për qind, në grantet e prodhimit tash janë 65 për qind nga Ministria e Bujqësisë dhe 35 për qind me vetëfinancim, pra kemi dashur që edhe më shumë t’ua lehtësojmë barrën financiare fermerëve”, tha ministri Stavileci.

Ndryshe, panairi dhjetëditor i manaferrës, mjedrës dhe dredhëzës vjeshtore, i cili po vazhdon të jetë i hapur në sheshin “Nëna Terezë”, do të mbyllet më 23 gusht 2013.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)