07 Maj 2024

Përkrahja për bujqësinë u rrit mbi 120 për qind

Prishtinë, 27 qershor - Bujqësia dhe diversifikimi rural janë dy sektorë që Kosovës i ofrojnë mundësi reale dhe të shpejta për zbutjen e varfërisë, gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe krijimin e të hyrave për banorët e zonave rurale.

Kështu u vlerësua sot në takimin e Komitetit Monitorues të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2007-2013, ku u prezantua raporti i vlerësimit dhe monitorimit për zbatimin e programit në vitin 2012.

Bazuar në vlerësimin e performancës, u konstatua se në përgjithësi ka pasur realizim të objektivave të planifikuara dhe në disa raste edhe tejkalim të tyre.

Niveli i mbështetjes në vitin 2012 për bujqësi dhe zhvillim rural, duke marrë për bazë edhe grantet që janë shpërndarë nga kredia e marrë prej Bankës Botërore dhe KE-ja, ka pasur rritje për mbi 120 për qind, krahasuar me vitin 2011, në të cilin si subvencione ishin ndarë 5,618,834 euro, ndërsa si grante investive 3,228,776.5 euro.

“Në vitin 2012, grante investive kanë qenë 10,984,313 euro dhe subvencione 8,260,144 euro, pra gjithsej 19,244,457 euro. Deri në këtë vit zbatimi i këtij plani është mbështetur me 50,800,880 euro”, tregoi Lulzim Shamolli, shef i Divizionit për Monitorim, Vlerësim dhe Raportim në Ministrinë e Bujqësisë.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Komitetit Monitorues, Kapllan Halimi, tha se struktura e raportit bazohet në rregulloren e BE-së 1974/2006 dhe indikatorët e përfshirë në këtë raport tregojnë një përmirësim të dukshëm.

“Të gjitha raportet e donatorëve për sektorin e bujqësisë, raporti i auditorit gjeneral, raporti i KE-së, tregojnë për përmirësimet e përvitshme në zbatimin e programit dhe nëse merret parasysh që financimi i masave që kanë të bëjnë me subvencionet ka filluar në vitin 2008 me 589,149 euro, ne kemi edhe rritje në masë të madhe të saj, ku vetëm vitin e kaluar kemi pasur mbi 8.2 milionë euro subvencione”, tha Halimi.

Nga sektori i bujqësisë vlerësohet se sigurojnë të ardhura rreth 200 mijë familje kosovare dhe sipas këtij raporti, vetëm në vitin e kaluar janë organizuar 447 sesione këshillimore me grupe të fermerëve.

Ndërsa, si çështje problematike u paraqiten mosdeklarimi i saktë i sipërfaqeve të mbjella dhe i krerëve të bagëtisë, fermat e vogla, mosdefinimi i pronës dhe kontestet pronësore, parcializimi i madh i tokës bujqësore, mungesa e një qendre të informimit për fermerë, mosorganizimi i fermerëve nëpër shoqata, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi me komuna, i cili sipas Komitetit Monitorues ende nuk është në nivelin e duhur.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)