02 Maj 2024

Përkrahja financiare, shton numrin e bizneseve

Prishtinë, 7 nëntor - Përkrahja financiare e Ministrisë së Bujqësisë, ka bërë që shumë biznese të kthejnë vëmendjen drejt këtij sektori, duke bërë kështu që të rritet edhe numri i bizneseve të reja me veprimtari në këtë fushë.

Kjo përkrahje, e cila është dhënë viteve të fundit, ka rritur edhe interesimin e fermerëve për t’u marrë me bujqësi, sepse ka trefishim të aplikacioneve krahasuar me periudhat paraprake. Kështu tha ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, në prezantimin institucionit financiar jobankar Crimson Finance Fund (CFF), për financimin e rritjes së bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Ministri Stavileci, theksoi se investimet në ferma dhe agropërpunim janë jetike për të avancuar dhe për ta komercializuar sektorin e bujqësisë. Ai tregoi se përveç investimeve në prodhimtarinë primare, fokusi i tyre ka qenë edhe financimi i projekteve për ngritjen e cilësisë dhe përmirësimin e procesimit të produkteve bujqësore.

“Sektorët që ne i konsiderojmë më prioritar, ku edhe me përkrahjen tonë financiare me pagesa direkte dhe grante investive, që arrijnë deri në 30 mijë euro, kemi qenë më shumë të fokusuar, janë sektori i blegtorisë dhe ai i hortikulturës.

Rritja e aftësive konkurruese të fermave në prodhimtarinë bujqësore, përmirësimi i kushteve të punës, duke përfshirë këtu edhe përmirësimin e paketimit dhe përshtatjen e prodhimeve bujqësore për treg, në mënyrë permanente kanë qenë fokus i mbështetjes sonë dhe i mbështetjes së donatorëve të sektorit.”, tha ministri Stavileci.

Ndërsa, për të ndikuar në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe të agrobizneseve, ai tregoi se në bashkëpunim me USAID-in dhe Qeverinë e SHBA-ve, kanë nënshkruar edhe fondin garantues për kredi bujqësore me gjashtë bankat më të mëdha në vend. Ministri Stavileci, po ashtu tregoi se sivjet duke ia shtuar granteve të Ministrisë së Bujqësisë edhe grantet e Bankës Botërore dhe Danidës, që implementohen si pjesë e programit të ministrisë, rritja e kapaciteteve në industrinë agropërpunuese përmes grantimit përkrahet me mbi 17 milionë euro.


Ndërsa, Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, premtoi se edhe në të ardhmen Qeveria e SHB-ve do të përkushtohet për përmirësimin e jetës së kosovarëve përmes rritjes ekonomike nga sektori privat. “Kjo ngjarje sot tregon se bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet donatorëve, Qeverisë së Norvegjisë dhe asaj të SHBA-ve, përmes USAID-it, kanë ndikuar në rritjen e fondeve përmes CFF-së dhe ky ka qenë një partneritet produktiv, nga i cili Kosova mund të përfitoj gjatë”, tha ambasadorja Jacobson.


Duke folur për rëndësinë e sektorit financiar në zhvillimin ekonomik të vendit, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, tha se çdo ditë e më shumë po tregohet kontributi i sektorit financiar në rritjen e bizneseve në vendin tonë dhe po ashtu edhe në rritjen e numrit të të punësuarve.

“Kreditë e dhëna nga sektori financiar kanë arritur në 1.8 miliardë euro dhe në kuadër të këtyre kredive, dominojnë kreditë për sektorin e tregtisë. Ajo çka duhet të bëjmë ne si BQK dhe si sektor financiar, është të diversifikojmë portfolion duke mbështetur edhe më shumë sektorë të tjerë, siç është ai i bujqësisë”, tha Gërguri.

Ndryshe, udhëheqësit e institucionit financiar jobankar CFF, gjatë së mërkurës kanë prezantuar raporte, të cilat kanë treguar se sa e rëndësishme është përkrahja financiare në rritjen e bizneseve dhe gjenerimin e punësimit, ndërsa klientët më të suksesshëm të këtij institucioni kanë prezantuar edhe produktet dhe shërbimet e tyre si rrëfime të suksesshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)