27 Prill 2024

Përkrahen minoritarët për zhvillimin e bujqësisë

Prishtinë, 30 tetor - Integrimi i komuniteteve minoritare ka filluar të shtohet dukshëm edhe në sektorin e bujqësisë. Shumë prej tyre tashmë janë përfitues të rregullt të subvencioneve dhe granteve investive që ndajnë institucionet e vendit, të cilat tashmë kanë krijuar edhe një sistem përkrahës dhe gjithëpërfshirës.

Ky sistem, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, po i kontribuon edhe integrimit të komuniteteve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, thotë se deri më tash, përkrahja përmes granteve dhe subvencioneve për komunitetet minoritare arrin në rreth 430 mijë euro, ku përfitues janë gjithsej 1071 fermerë të komuniteteve minoritare. “Kriter kryesor është që fermeri të jetë banor i përhershëm dhe ne kemi përfitues edhe nga komuna e Leposaviçit dhe Zubin Potokut, të cilët janë pajisur me dokumente dhe kanë aplikuar në komunën e Mitrovicës për të përfituar nga përkrahja jonë, që pastaj janë kontrolluar nga inspektorët tanë edhe në parcelat e tyre për sipërfaqet e deklaruara”, thotë Behramaj.

Ai tregoi se asnjë komunitet nuk trajtohet në mënyrë të veçantë nga ana e ministrisë, mirëpo të gjithë trajtohen në mënyrë të njëjtë. “Të gjithë fermerët, si ata që aplikojnë si individ, ashtu edhe ata që me projektet e tyre aplikojnë përmes Grupeve Lokale të Veprimit për të përmirësuar standardin jetësor në komunitetin e tyre, kanë mundësi që të përfitojnë përkrahje nga Ministria e Bujqësisë, por kjo varet edhe nga rëndësia e projektit dhe nga impakti i tij në mënyrën e jetesës së komunitetit”, tha zëdhënësi Behramaj.

Ndërsa, Idriz Taci, fermerë nga komuna e Mamushës, i cili është edhe përfitues i granteve investive të Ministrisë së Bujqësisë, tregoi se nuk kishte pasur vështirësi aspak për të aplikuar dhe për të përfituar nga përkrahja institucionale.“Vitin e kaluar kam aplikuar për ndërtimin e një stalle të lopëve qumështore dhe nuk kam hasur në asnjë problem. Kam arritur ta fitojë grantin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili më mundësoi që edhe unë ta ndërtojë stallën time, në të cilën tash i mbaj 60 krerë lopë qumështore”, tha Taci.

Ai thotë se kjo përkrahje ka qenë një ndihmë e madhe për të, pasi përmes saj ka arritur që të shtoj edhe prodhimtarinë blegtorale në fermën e tij, por tregoi se pjesëmarrjen prej 50 për qind të mjeteve për ta realizuar investimin e ka siguruar me shumë vështirësi, ndërsa sivjet thotë se po planifikon të shtojë edhe numrin e lopëve qumështore.

Ministria e Bujqësisë, përmes subvencioneve i ka përkrahur fermerët minoritarë për grurë, misër dhe bletë, ndërsa përmes granteve investive i ka përkrahur ata në ndërtimin e stallave për bagëti dhe në përmirësimin e infrastrukturës në fermat e tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)