03 Maj 2024

Patatja e Vushtrrisë, simbol i prodhimeve bujqësore në Kosovë

Prishtinë, 1 tetor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komuna e Vushtrrisë sot në Pestovë të Vushtrrisë kanë organizuar manifestimin tradicional “Dita e Patates”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i cili mori pjesë në manifestimi theksoi rëndësinë që ka zhvillimi i sektorit të bujqësisë në ekonominë e Kosovës, dhe i garantoi të gjithë fermerët se do ta kenë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës përmes lehtësirave, granteve dhe subvencioneve për bizneset e ndryshme në këtë sektor. 

"Prodhimtaria e patates është identitet i komunës së Vushtrrisë dhe për t’ju krijuar mundësi më të mira fermerëve të kësaj ane, Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Bujqësisë, ka investuar edhe në tri projekte të ujitjes që arrijnë vlerën prej rreth gjysmë milionë euro, ku si rezultat nën ujitje janë përfshirë edhe 2,450 hektarë tokë bujqësore", ka thënë kryeministri Thaçi.

Ndërsa, në kuadër të skemave të përkrahjes së drejtpërdrejtë, deri më tash, grante dhe subvencione kanë përfituar rreth 2300 fermerë të komunës së Vushtrrisë në vlerë prej rreth 1.5 milionë euro.

Edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka marrë pjesë në festimin e “Ditës së Patates”, e cila simbolizon një ditë feste për të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit e patates në të gjithë Kosovën.

Ministrja Kusari-Lila me këtë rast ka thënë se është viti i tretë me radhë i tubimit të përbashkët me rastin e Ditës së Patates, një vit që simbolizon suksesin dhe punën e prodhuesve të patates në Vushtrrisë.

“Për ne është kënaqësi e veçantë të shohim se si aktiviteti juaj rritet vit pas viti. Kemi qenë këto tri vite bashkë më Ministrin Stavileci, Kryeministrin dhe gjithë kabinetin qeveritar për ta për ta përkrahur këtë prodhim i cili ka emër jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë”, tha Ministrja e Kusari-Lila.

Ajo po ashtu theksoi se kjo ditë simbolizon një ditë krenarie e cila duhet të përcillet si shembull për produktet tjera dhe për prodhuesit nëpër komunat tjera të Kosovës.

“Së fundmi lindi një brengë. Këto ditë u prezantua në media se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë do të ndikojë në bujqësinë e Kosovës. Jam këtu për të ju dhënë lajmin e mirë. Produktet bujqësore kosovare do të mbrohen për dhjetë vitet e ardhshme."

"Për produktet si ato të Pestovës, për produktet Vipa Chips dhe pataten e Pestovës, prej momentit kur kjo Marrëveshje do të ratifikohet në Parlament e Kosovës dhe në Parlamentin e Republikës së Turqisë, do të keni qasje në një treg prej 74 milionësh, pra për produktet kosovare hapet menjëherë ky treg, ndërsa ne do t’i mbrojmë mbi 400 produkte kosovare edhe 10 vite të tjera, deri në hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje”, theksoi Ministrja Kusari-Lila.

Ajo ka uruar që prodhuesit kosovarë të patates të rrisin prodhimtarinë, duke iu referuar kapaciteteve që kanë për të mbuluar jo vetëm Kosovën dhe rajonin, por edhe më gjerë.

Ndërkaq, Bedri Kosumi, drejtor i kompanisë “Pestova” vlerësoi rëndësinë e festimit të “Ditës së Patates”, si një rast për të festuar prodhimet e vazhdueshme, promovimin e teknologjive të reja të prodhimit dhe rritjen e kualitetit, por edhe për të diskutuar sfidat dhe nevojat për të rritur konkurrueshmërinë dhe për ta forcuar qëndrueshmërinë e biznesit kosovar.

“Jemi dëshmitar që çdo vit prodhimi vendor po zëvendëson importin, prodhimet tona po zënë vendin parësor në shportën e konsumatorit. Ky është vetëm fillimi. Kërkohet edhe më shumë punë për të bërë nga të dyja palët, si nga institucionet qeveritare ashtu edhe nga ana e prodhuesve”, ka thënë Kosumi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)