27 Prill 2024

Nis grumbullimi i patates

Prishtinë, 8 tetor - Kultivuesit e patates kanë filluar grumbullimin e kësaj kulture bujqësore, për të cilën u përkujdesen gjatë gjithë vitit.

Thatësia që ka mbretëruar në sezon, ka ndikuar në uljen e përreth 20 për qind të prodhimtarisë së sivjetme të patates, por kërkesa e madhe për këtë produkt, është duke ua rritur pritshmëritë prodhuesve të saj, se sivjet sasinë e grumbulluar do ta shesin me çmime shumë të leverdishme.

E për t’i evituar problemet e tilla, të cilat po shkaktohen nga kushtet klimatike, Ministria e Bujqësisë në vitet e ardhshme po planifikon të krijoj edhe një fond të veçantë për sigurimin e kulturave bujqësore.

Kjo u bë e ditur sot nga ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, në manifestimin tradicional “Dita e patates”, i cili u mbajt në fshatin Pestovë të komunës së Vushtrrisë.

“Për ta mbrojtur prodhimtarinë dhe punën e  fermerëve, ne qysh tash po i shqyrtojmë mundësitë që t’ja nisim një projekti për sigurimin e kulturave bujqësore, të cilin e shohim si zgjidhje për problemet që mund t’i kenë fermerët për shkak të thatësisë.\"

\"Në të njëjtën kohë, ne po e zgjerojmë programin tonë në mënyrë që të mos lëmë pa përfshirë asnjë sektor të bujqësisë. Për herë të parë nga viti i ardhshëm do ta përkrahim edhe perimtarinë në fushë të hapur, do të ofrojmë grante edhe për mekanizmin e rëndë bujqësor, do të fillojmë ta përkrahim sektorin e mishit, atë të bimëve mjekuese dhe shumë e shumë sektorë të tjera”, tha Stavileci.

Krahas këtyre projekteve, ministri Stavileci bëri të ditur se për vitin e ardhshëm do të rrisin edhe subvencionet për kultura të ndryshme bujqësore.

Ndërsa, ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se sot më shumë se kurrë, Qeveria e Kosovës është duke i përkrahur prodhuesit vendorë, pasi që këta prodhues po mundësojnë krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës, si në sektorin e bujqësisë, ashtu edhe në sektorë të tjerë prodhues.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot më shumë se kurrë jemi përkrah prodhuesve vendorë. Ne do të vazhdojmë me avancimin e politikave tregtare dhe humbjet të cilat sivjet do të mund të jenë të dukshme, në këtë rast edhe për prodhuesit e patates, përmes gjetjes së mekanizmave adekuat, ne do të mundohemi t’i evitojmë apo edhe do t’i sanojmë, në mënyrë që të mos dëmtohen serish prodhuesit e patates”, tha Kusari-Lila.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Pestova”, Bedri Kosumi, tha se prodhimtaria e patates konsiderohet si prodhimtari strategjike dhe kërkoj që të investohet më shumë nëpër sisteme të ujitjes, sepse, sipas tij, ujitja paraqet energjinë themelore në prodhimin e patates.

Gjithashtu, për të operuar më suksesshëm, sipas tij nevojitet që të përshpejtohet dhe të zgjerohet edhe pakoja fiskale ekzistuese.

Sipërfaqet e mbjella me patate sivjet sillen në mbi 8 mijë hektarë, ndërsa sipas të dhënave fillestare, rendimenti mesatar është rreth 20 ton për hektarë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)