02 Maj 2024

Në vitin 2013 u pyllëzuan mbi 20 mijë hektarë

Albulena S. MAVRAJ


Prishtië, 30 janar - Kryeshefi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës (APK), Ahmet Zejnullahu, ka deklaruar se me inventarizimin nacional të pyjeve, i cili ka përfunduar në fund të vitit 2013, sipërfaqet e pyllëzuara janë rritur për më shumë se 20 mijë hektarë.

Ai ka treguar se gjatë vitit 2013 APK-ja në Institutin e Pylltarisë në Pejë i ka prodhuar 2.400.000 fidanë dhe e ka pyllëzuar një sipërfaqe prej 368.80 hektarësh, kryesisht me fidanë të halorëve. Ai ka deklaruar se falë kushteve atmosferike, të cilat kanë mbretëruar gjatë vitit 2013, sipërfaqet e përfshira nga zjarri ishin dukshëm më të ulëta se në vitin 2012.


Zejnullahu në një bisedë për “Epokën e re” ka bërë me dije se sipërfaqet e përfshira nga zjarret gjatë vitit 2013 kanë qenë 427.09 hektarë falë temperaturave të ulëta dhe reshjeve të mjaftueshme të shiut.

“Krahasuar me vitin 2012, me ç’rast ishin 3487 hektarë të përfshira nga zjarret, në vitin 2013 sipërfaqet e përfshira nga zjarri kanë rënë dukshëm”, ka treguar Zejnullahu. Sipas tij, APK-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) gjatë vitit 2013 kishte angazhuar 90 punëtorë sezonalë për katër muaj, të cilët i ishin nënshtruar një trajnimi dhe ishin pajisur me certifikata nga Agjencia e Emergjencave të Kosovës në mënyrë që të ishin të gatshëm të intervenonin në çdo moment.

Ai ka deklaruar se APK-ja i ka pajisur me mjetet e nevojshme punëtorët e angazhuar dhe ka marrë pjesë në secilën vatër të zjarrit, e cila ishte paraqitur në pyjet e Kosovës. Zejnullahu deklaratat e disa ekspertëve dhe zyrtarëve institucionalë, të cilat kishin qëllim minimizimin e kontributit të dhënë nga APK-ja, i ka quajtur tendencioze.

“Deklaratat e disa ekspertëve, zyrtarëve institucionalë dhe të disa deputetëve, se gjoja me shpalljen e dy parqeve nacionale nuk ka pasur zjarre, janë të papërgjegjshme dhe tendencioze, të cilat duan ta minimizojnë kontributin e APK-së në shuarjen e zjarreve në to”, është shprehur Zejnullahu.

Ai ka deklaruar se duke u mbështetur në raportet e viteve paraprake, vlera e rigjenerimit të pyjeve është 350 euro për hektar, duke përjashtuar aktivitetin e pastrimit të sipërfaqes para pyllëzimit, e cila, sipas tij, varion nga shumë rrethana si: kushtet e terrenit, niveli i dëmit dhe arritshmëria e tij. 


Zejnullahu ka deklaruar se duke u mbështetur në inventarizimin e fundit, situata e mbrojtjes së pyjeve në Kosovë vazhdon të mbetet problematike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas tij, pozitive është fakti se sipërfaqet e pyllëzuara janë rritur gjatë vitit 2013.

“Është pozitive që sipërfaqet pyjore janë rritur për 20.200 hektarë edhe pavarësisht prerjeve të shumta. Krahasuar me inventarizimin e vitit 2012, në vitin 2013 është rritur edhe volumi i masës drunore në këmbë për 63 mijë metra kub”, ka thënë ai. Sipas Zejnullahut, mbrojtja e pyjeve që nga korriku i vitit 2010 është kompetencë dhe përgjegjësi direkte e komunave.

“Komunat janë të obliguara të marrin masa dhe të ngrenë fletëparaqitje për dëmtuesit e pyjeve. Në bazë të raportimit që komunat e bëjnë në APK-në, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2013 janë ngritur 6000 fletëparaqitje që mbulojnë një volum prej 14.637.48 metrave kub dhe një vlerë monetare prej 3.436.393.42 eurosh”, ka thënë ai. 


Zejnullahu ka bërë me dije se Agjencia Pyjore e Kosovës nëpërmjet Inspektoratit Qendror të Pyjeve gjatë vitit 2013 i ka kryer 1260 kontrolle në subjekte afariste dhe ka  ushtruar 304 fletëparaqitje, si dhe i ka konfiskuar 601.59 metër kub masë drunore.

Ai ka potencuar se gjatë vitit 2013 ka pasur interesim edhe të investitorëve vendorë dhe të huaj për të investuar në sektorin e pylltarisë. Ai ka shtuar se vitet e fundit kanë filluar të hapën disa mini-fabrika, të cilat po merren me prodhimin e Piletit dhe Briketit që shërbejnë si lëndë djegës për ngrohje.

Sipas tij, projekte të ndryshme të shteteve të huaja janë duke u realizuar në Kosovë siç janë ato të cilat financohen nga SIDA-se suedeze, FAO, Qeveria Norvegjeze dhe Qeveria turke.

“Ka pasur kërkesa nga disa kompani të huaja për eksport të lëndës drunore, por duke pasur parasysh faktin se Kosova ende nuk ka ndonjë sipërfaqe pyjore të certifikuar, mungesa e një certifikate të tillë po krijon probleme në doganat e huaja, prandaj druri nga Kosova nuk po mund të eksportohet”, është shprehur Zejnullahu.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)