29 Prill 2024

Ministri Stavileci vizitoi komunën e Deçanit

Deçan, 24 qershor - Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, së bashku me deputetët Adem Grabovci dhe Safete Hadërgjonaj, si dhe me Kryeshefin Ekzekutiv të AVU-së z.Valdet Gjinovci, sot vizituan komunën e Deçanit, ndërmarrjen prodhuese “Dredhëza” e fabrikën për përpunimin e mishit “Vëllezërit Neziraj” në fshatin Llukë të Epërme të kësaj komune, si dhe përuruan kanalin e ujitjes në fshatin Prapaçan, i cili do t’i furnizojë me ujë rreth 1000 hektarë tokë bujqësore në fshatrat Isniq-Prapaçan.


Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, pasi mirëpriti mysafirët, shprehu falënderime për mbështetjen e deritanishme të MBPZHR-së, veçanërisht për rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemeve të ujitjes në fshatrat e kësaj komune. “Ne i jemi mirënjohës Ministrisë së Bujqësisë për përkrahjen e saj financiare, siç ishte rasti në kanalin e Belegut dhe tani në atë të Prapaçanit dhe besoj se ky bashkëpunim duhet të rritet edhe më shumë, sepse nevojat për të investuar në sistemin e ujitjes dhe kullimit vazhdojnë të jenë ende të mëdha”, tha kryetari Selmanaj, duke kërkuar që gjatë këtij viti të shihet me prioritet edhe investimi në ndërtimin e pendës me kanal tek “Vija e Gështënjës” në fshatin Isniq.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se sivjet ka pasur një rritje jo shumë të madhe të buxhetit, por përkundër kësaj, jo vetëm në komunën e Deçanit, mirëpo në shumicën e komunave tjera, bazuar në numrin e përfituesve ka pasur një rritje të ndjeshme të investimeve dhe përfituesve. “Ky regjion për shkak të karakteristikave pedologjike dhe agroklimatike, përveç kulturave bujqësore që tashmë mbështetën në vazhdimësi nga MBPZHR-ja ka edhe disa përparësi tjera, mirëpo për të arritur një shfrytëzim racional të tyre së pari duhet të bëjmë rregullimin e sistemeve të ujitjes.


Siç e dini, gjatë këtyre dy viteve janë rritur investimet kapitale në sistemin e ujitjes dhe në këtë vit do të investohet edhe në kanalin e ujitjes në fshatin Broliq dhe në ‘Vijën e Gështënjës’ në fshatin Isniq”, tha ministri Stavileci, duke përfunduar më tej se viteve tjera do të ketë investime edhe më të mëdha nëpër të gjitha komunat dhe se fermerët e industria agropërpunuese kanë filluar t’i shohin institucionet e vendit si partner kryesor për t’i realizuar projektet e tyre, duke specifikuar në këtë rast bujqësinë, e cila më në fund po i vendos themelet e saj për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Ndërtimi dhe betonimi i rreth 6 kilometrave të kanalit të ujitjes në fshatrat Isniq-Prapaçan është mbështetur nga MBPZHR-ja me gjithsej 285,979.90 euro dhe nëpërmjet këtij kanali mund të ujiten rreth 1000 hektarë tokë bujqësore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)