29 Mars 2024

Ministri Stavileci takoi përfaqësues të 22 institucione bankare

Prishtinë, 5 gusht - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Blerand Stavileci mbajti takim me 22 institucione bankare si makro ashtu edhe mikro finanaciare që veprojnë në vendin tonë.

Në fjalën e tij hyrëse, ministri Stavileci i njoftojë të pranishmit për punën e Ministrisë së Bujqësisë, për Planin për Zhvillimin Rural 2007-13, Strategjinë për sektorin e hortikulturës 2009-2013, atë për konsolidimin e tokës, etj.

Deri në vitin 2007-të, shtoi ministri Stavileci, buxheti i MBPZHR-së ka qenë pa skemën e granteve dhe subvencioneve dhe me pagesa direkte kemi filluar që nga viti 2008-të, kryesisht të fokusuar në sistemin e ujitjes dhe tre sektorë të tjerë kryesore, si ai i qumështit, sektori i hortikulturës dhe i drithërave.

\"Gjatë analizës së gjendjes ekzistuese janë identifikuar veprimet e detajuara që neve do të na mundësojnë t’i kapërcejmë dobësitë dhe vështirësitë, si dhe të përfitojmë nga mundësitë në dispozicion dhe të zbusim kërcënimet e identifikuara.\"

Strategjitë e ministrisë sipas tij tani janë të linjëzuara me politikat bujqësore të BE-së dhe ato i mbështesim në 4 boshte si, rritja e aftësisë konkurruese, ruajtja e ambientit dhe përdorimi i përmirësuar i tokës, diversifikimi dhe ngritja e cilësisë së jetës rurale, si dhe në strategjinë për zhvillim lokal të bazuar në komunitete.

Përveç buxhetit që ka Ministria e Bujqësisë, vazhdoi më tej ministri Stavileci, kemi edhe një komunitet të madh donatorësh që janë të përqendruar në zhvillimin e sektorit bujqësor dhe deri me tani mesatarja në vit e përkrahjes së tyre sillet rreth 15 milion, në të kaluaren kryesisht përkrahjet kanë pasur karakter teknik por tani ka ndryshuar qasja, shembull konkret është skema e granteve të KE-së.

Pra, vazhdoi ministri Stavileci, ka filluar një etapë e re për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe arsyeja e këtij takimi përreth kësaj tavoline dhe takimeve të mëtutjeshme që do të mbahen, është krijimi i një modeli të qëndrueshëm dhe adekuat për zhvillimin e politikave strategjike për këtë fazë në të cilën jemi, duke u ndarë të kënaqur si sektori bankar, ashtu edhe fermerët dhe Ministria e Bujqësisë.

Drejtori Gjeneral i Raiffeisen Bank Twight, tha se të gjithë jemi të vetëdijshëm për rrezikun e kreditimit dhe nevojitet fokus më i madh për zvogëlimin e këtij rreziku dhe krijimin e një sigurie më të madhe për realizimin e praktikave në përshtatshmëri me kapacitetin bujqësor dhe ekonomik në vend.

Ne sektori bankar dhe kreditor, përkundër që jemi konkurrent në mes veti, shtoi z. Twight, kësaj çështje duhet t’i qasemi si grup për t’i harmonizuar politikat strategjike dhe për të projektuar një model të qëndrueshëm, përkitazi me zhvillimin e bujqësisë. Përkundër problemeve të tjera, vazhdoi ai, ekziston edhe problemi kryesorë sepse nuk kemi informata të mjaftueshme për mikro tregjet dhe politikat kredituese zakonisht janë të orientuara në makrokredi.

Ndërkaq, Michael Gild, Drejtor Gjeneral i CRIMSON Finance Fund CFF, tha se tani në fund të muajit presim të fillojmë më një projekt të ri huadhënës që është kryesisht i orientuar për mikrokredi dhe në një të ardhme të afërt do të rritet financimi ynë dhe politikat strategjiko-kredituese do të orientohen nga zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe zvogëlimi i papunësisë. Më tej, z. Gild duke foluar edhe në cilësinë e përfaqësuesit të USIAD-it tha se USAID-i tani është duke përgatitur një projekt ekskluzivisht për bujqësinë dhe përmes tij synon të kontribuojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori dhe ngritjen e kapaciteteve prodhuese.

Në takim kishte të pranishëm edhe agjensi dhe organizata kredituese vendore si, START, Kreditimi Rural i Kosovës, BZFM, Kos Invest, KEP Trust, AFK, FINCA, Lesna etj., dhe të gjithë u pajtuan se duhet t’i intensifikojnë takimet dhe të bashkëpunojnë më shumë në lidhje më këtë çështje.

Në të ardhmen do të mbahen edhe takime të tjera për diskutuar rreth gjetjes së një modeli të përshtatshëm për zhvillimin e sektorit bujqësor nëpërmjet hartimit të politikave më të favorshme kredituese.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)