28 Prill 2024

MBPZHR zgjedh fermerin e vitit 2011

Prishtinë, 28 dhjetor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sikur të gjitha fundviteve të tjera edhe në këtë vit organizoj manifestimin “Fermeri i vitit 2011”, i cili tradicionalisht organizohet prej vitit 2003.

Ky manifestim, i cili u mbajt sot me ç'rast nga të pranishmit u vlerësua edhe si përbashkësi e vlerave bujqësore e blegtorale, i cili për çdo fundvit po i grumbullon në një vend të vetëm shumicën e fermerëve të cilët me punën e tyre po lënë gjurmë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, tha se në të kaluarën ky sektor është nënvlerësuar pothuajse nga të gjithë, si nga institucionet përderisa nuk e kanë përkrahur, ashtu edhe nga shoqëria në përgjithësi, por nuk është nënvlerësuar nga fermerët, të cilët janë bartësit kryesor të zhvillimit të tij.

“Fermerët tanë nuk kanë ndaluar së punuari. Kanë rezistuar dhe janë ballafaquar me të gjitha vështirësitë e kohës dhe kanë guxuar të investojnë dhe të marrin iniciativa të reja edhe kur sfidat kanë qenë tepër të mëdha. Falë këtyre iniciativave, të cilat dikur e kanë mbajtur sektorin edhe ne sot po mundemi që të japim kontributin tonë në zhvillimin e mëtutjeshëm."

"Unë besoj se me punën e të gjithëve, ne tashmë kemi arritur në një pikë krejtësisht tjetër dhe dalëngadalë këtij sektori dhe juve si bartës të tij po ua kthejmë dinjitetin, krenarinë dhe fisnikërinë për punën që e bëni”, tha Stavileci teksa ju drejtua fermerëve, duke shtuar më tej se bujqësia është profesioni më i vjetër e më i ndershëm dhe kjo begaton edhe vendin duke qenë pasuri dhe kulturë e tij.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky manifestim është festë e fermerëve, për arsye se puna dhe mundi është i fermerëve, ndërsa për institucionet është detyrë dhe obligim, poashtu mbetet edhe sfidë, që në vitin 2012 me politika të ndryshme t’i inkurajojmë dhe t’ua lehtësojmë edhe më shumë punën atyre.

“Kosova ka shumë për çka mund të krenohet dhe mund të them se një prej krenarive tona janë edhe fermerët të cilët me siguri se këtë vit e kanë pasur një pozitë pak më të mirë se vitin e kaluar, e vitin 2012 do ta kenë shumë më të mirë se vitin 2011 dhe gradualisht do të jeni pika kryesore qoftë e zhvillimit të përgjithshëm, qoftë edhe e industrisë”, tha Kusari-Lila.

Po ashtu, edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se fermerët janë shembulli më i mirë i punës për të gjithë.

Ndërsa, në anën tjetër, fermeri Arianit Bujupi, i cili është edhe njëri prej fermerëve më të dalluar në nënsektorin e shpendarisë, tha se përveç përkrahjes institucionale dhe të arriturave të deritanishme, mbetet edhe shumë punë për t’u bërë në të ardhmen.

“Gjatë viteve te fundit, ne si fermerë kemi filluar ta ndjejmë përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë në shumë fusha, si në shpezëtari, në prodhimtari blegtorale e bimore, agropërpunim dhe në fusha të tjera, por edhe ministrisë dhe institucioneve relevante, edhe neve fermerëve na mbetet edhe shumë punë për të bërë në të ardhmen”, tha Bujupi.

Ai shtoi më tej se, mirënjohjet që po i pranojmë do të jenë motiv dhe stimulim për t’i zgjeruar veprimtaritë dhe për të krijuar vende të reja të punës për popullsinë rurale të Kosovës.

Në këtë manifestim, i cili tradicionalisht mbahet me qëllim të motivimit të fermerëve për t’i rritur edhe më shumë angazhimet e tyre për rritjen e prodhimtarisë u përzgjodhën edhe 20 fermerët që kanë arritur rezultate më të mira në veprimtari të ndryshme bujqësore gjatë këtij viti.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)