28 Prill 2024

MBPZHR ndihmon 36 fermerë që kanë pësuar dëme

Prishtinë, 27 dhjetor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ndihmon fermerët që kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore gjatë vitit 2011.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, sot përgjatë dy vizitave tek fermerët Labinot Murati në fshatin Kojskë të komunës së Lipjanit dhe tek fermerët Sokol Zogaj në fshatin Novosellë të komunës së Malishevës, të cilët kanë pësuar dëme nga zjarri gjatë këtij viti, tha se kjo përkrahje nuk është në nivelin e duhur, mirëpo sadopak ndikon në zvogëlimin e dëmeve që u janë shkaktuar fermerëve nga fatkeqësitë e ndryshme dhe i inkurajon ata për t’i rindërtuar përsëri stallat dhe hambarët e shkatërruar.

“Ne si ministri ende nuk e kemi një fond për kompenzimin e dëmeve që ju shkaktohen fermerëve nga fatkeqësi të ndryshme, mirëpo me kapacitetet tona institucionale po mundohemi që t’ju dalim në ndihmë edhe në raste të tilla.\"

\"Kjo është një ndihmesë që sadopak i inkurajon fermerët, që përkundër dëmeve që u janë shkaktuar, t’ja nisin përsëri punës për t’i rindërtuar hambarët dhe stallat e tyre në këtë rast, por edhe për t’i shtuar krerët e bagëtisë në raste të tjera”, tha Stavileci, i cili si model për tejkalimin e kësaj problematike përmendi edhe krijimin e linjave për sigurimin e prodhimtarisë bujqësore tek kompanitë e sigurimeve dhe krijimin e një fondi të përbashkët me komunat për t’i përkrahur fermerët që preken nga fatkeqësitë natyrore.


Ai shtoi se në përjashtim të kërkesave të disa fermerëve që janë në vlerë më të madhe dhe tejkalojnë kapacitetet e ministrisë, shumica e kërkesave të tjera për kompenzimin e dëmeve që janë adresuar në Ministrinë e Bujqësisë janë përfshirë në këtë skemë të përkrahjes.

Në anën tjetër, Labinot Murati nga fshati Kojskë e komunës së Lipjanit, të cilit i është djegur stalla dhe ushqimi i bagëtisë gjatë këtij viti, tha se dëmi i shkaktuar sillet përreth 7000 euro, ndërsa vetëm Ministria e Bujqësisë është duke e ndihmuar me 1500 euro. “Kjo është një ndihmë që na e zvogëlon dëmin që na është shkaktuar dhe është një shtytje materiale dhe morale për të punuar edhe më shumë”, tha Murati, i cili posedon 35 lopë qumëshore.

Ndërsa, Sokol Zogaj nga fshati Novosellë e komunës së Malishevës tha se ndihma e dhënë nga Ministria e Bujqësisë është përkrahja e vetme që ju është dhënë atyre. “Na deri më tash asnjëherë nuk kemi pasur përkrahje nga institucionet tona. Kjo ndihmë, paret për grurë dhe granti investiv për sistemin e mbyllur të fermës së qumështit që na ka dhënë Ministria e Bujqësisë janë ndihma e vetme që na është dhënë deri më tash nga institucionet”, tha Zogaj.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural sivjet ka marrë vendim që t’ju dal në ndihmë edhe fermerëve që kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë e ndryshme, duke ua kompensuar atyre dëmet në një masë të caktuar.

Përfitues nga kjo përkrahje janë gjithsej 36 fermerë që kanë adresuar kërkesa për kompenzim të dëmeve në Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa vlera e përgjithshme e kësaj përkrahjeje është gjithsej 48.400 euro.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)