11 Maj 2024

Mbahet panairi i gjedhit “Kosova 2014”

Prishtinë,  24 maj - Blegtorët e rajoneve të ndryshme të Kosovës kanë shtuar numrin e krerëve të gjedhëve me raca cilësore. Për të ndikuar në ruajtjen dhe shtimin e krerëve të këtyre racave, Ministria e Bujqësisë, nga viti në vit ka rritur përkrahjen për blegtorët anë e mbanë vendit.

Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, në hapjen e panairit tradicional të gjedhit “Kosova 2014”, i cili është mbajtur sot në fshatin Korenicë të komunës së Gjakovës.


Ministri Stavileci, tregoi se edhe gjatë viteve të ardhshme, përkrahja e kësaj ministrie do të rritet për sektorin e blegtorisë dhe për industrinë e prodhimit dhe përpunimit të qumështit, me qëllim të shtimit të prodhimtarisë dhe cilësisë së prodhimeve blegtorale.

“Sivjet, për herë të parë, krahas masave tjera mbështetëse për blegtorët, ne jemi duke i përkrahur ata edhe përmes subvencionimit të qumështit sipas kategorive të cilësisë, ku ekstra klasën do ta subvencionojmë me 6 cent, klasën e parë me 4 cent dhe klasën e dytë me 2 cent në litër. Krahas kësaj, që nga viti i ardhshëm, do t’i shtojmë edhe masat mbështetëse për të gjithë fermerët, duke i subvencionuar edhe kamatat, në mënyrë që ata ta kenë edhe më të lehtë veprimtarinë e tyre në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë”, tha ministri Stavileci.


Në anën tjetër, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se edhe qeveria lokale, do të vazhdojë përkrahjen e blegtorisë në fshatrat e Gjakovës. “Vetëm në këtë mënyrë, përmes përkrahjes së bujqësisë dhe blegtorisë, mund të kemi zhvillim ekonomik të mirëfilltë dhe të ndikojmë në zhvillimin e industrisë së vendit”, ka thënë kryetarja Kusari-Lila.

Ndryshe, në panairin e gjedhit. i cili edhe sivjet është organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe komuna e Gjakovës, ishin të ekspozuara një numër i madh i gjedhëve, me ç‘rast në kategorinë e gjedhit elitë, për shkak të fenotipeve dhe vetive më të mëdha prodhuese, nga komisioni vlerësues, fitues është zgjedhur blegtori Dukagjin Deda nga komuna e Pejës, i cili mbarështon gjedhin e racës holshtain i kuq.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)