01 Maj 2024

Mbahen ditët fushore për fermerë

Prishtinë, 14 qershor - Organizimi i ditëve fushore, po del të jetë mjaft frytdhënës në punën e shumë fermerëve vendorë.

Një ditë e tillë, u organizua sot në pemishten “Agrounioni” në fshatin Llugaxhi të komunës së Lipjanit, në të cilën përveç ministrit të Bujqësisë, Blerand Stavileci, morën pjesë donatorë të ndryshëm, rreth 150 fermerë të rajoneve të ndryshme të Kosovës dhe studentë e profesorë të Fakultetit të Bujqësisë.

Gjatë kësaj dite fushore, fermerët patën mundësi që të marrin informata dhe këshilla nga ekspertët e pranishëm dhe të diskutojnë me njëri-tjetrin rreth përvojave të tyre.

E inkurajim më të madh atyre ju dha edhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, i cili tregoi se në programin e  ardhshëm shtatëvjeçar, do t’i mbështesin edhe shumë kultura tjera bujqësore.

“Me këtë buxhet që kemi, ne kemi nisur rrugën e zhvillimit të sektorit të bujqësisë. Aktualisht po punojmë në bazë të programit afatmesëm që kemi, ndërsa që nga viti i ardhshëm do të fillojmë të zbatojmë strategjinë dhe programin e ri shtatëvjeçar, në kuadër të të cilit do të rrisim mbështetjen për shumë nënsektorë, duke përkrahur edhe shumë kultura tjera bujqësore”, tha Stavileci.

Ai foli edhe për mobilizimin e komunitetit të fermerëve, për organizimin e tyre nëpër shoqata dhe për fuqizimin e rolit të fermerit në shoqëri, që sipas tij, frutet e punës së fermerëve kosovarë të jenë prezente në tryezën e secilës familje kosovare.

Në anën tjetër, Refik Shabani, pronar i pemishtes “Agrounioni”, tregoi rrugën nëpër të cilën kishte kaluar deri të ngritja e pemishtes prej afro 10 hektarëve, në të cilën i ka të mbjella kulturat bujqësore të dardhës dhe mollës.

“Në vitin 2006 e kemi privatizuar këtë tokë dhe tash kam ngritur pemishten prej 10 hektarëve, për zgjerimin e së cilës kam marrë mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe të NOA-s.\"

\"Jam marrë me tregti më herët dhe në këtë mënyrë ndoshta mund të vijmë më lehtë deri tek përfitimi, por investimet në prodhim janë më të qëndrueshme dhe krijojnë burime përfitimi më afatgjate”, tha Shabani.

Ndryshe, sivjet janë rreth 700 projekte të fermerëve për ngritjen pemishteve të reja, të cilat po e presin mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)