02 Maj 2024

Llausha vendi i kultivimit të dredhëzës

Prishtinë, 23 qershor - Edhe pse i ri në moshë, fermeri Ismet Balaj nga Llausha e Skenderajt është duke u treguar i suksesshëm në biznesin e tij familjar. Ai ka dhjetë vjet që kultivon tranguj, speca, spinaq, por me dashurinë më të madhe kultivon dredhëzën.

Ai ka bërë me dije për “Epokën e re” se gjatë këtij viti ka mbëltuar 20 ari dredhëza në serë dhe 40 ari në fushë të hapur.

Balaj ka deklaruar se për ndërtimin e seres së tij ka kontribuar edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). “Nga gjithë investimet që kemi bërë, pjesë përbërëse janë 20 ari serë, donacion ky i përfituar nga Ministria e Bujqësisë. Po ashtu, kemi pasur edhe disa ndihma nga organizata joqeveritare siç janë, IADK-u dhe USAID-i.

Përkrahja e tyre ka qenë kryesisht përgatitja nga ana teorike për kultivimin e perimeve si: trajtimin e bimëve me pesticide, barna dhe disa mjete për spërkatjen e bimëve”, ka deklaruar Balaj.

Ai ka thënë se kultivimi i dredhëzës nuk është aspak lehtë. Sipas tij, kultivimi i dredhëzës kërkon përkushtim. “Çdo punë kërkon angazhim dhe përkushtim, përndryshe mbetet e mangët.

Kultivimi i dredhëzës nuk është i lehtë. Nëse e llogarisim, përgatitjen e leheve për mbjellje, mbjelljen, trajtimin me pesticide që kërkon njohuri të sakta përndryshe dëmtohet bima, më pastaj vjelja, transporti deri në pikë të shitjes, vlerësoj se është një punë e lodhshme dhe sakrificë e madhe”, ka deklaruar Balaj.

Pavarësisht kësaj, Balaj ka deklaruar se ka leverdi nga kultivimi i dredhëzës.

“Është aq e leverdishme saqë Llausha është duke u shndërruar në një vend, të cilin e aromatizon dredhëza. Çdo vit shtohen fermerë të rinj në këtë fushë. Kjo tregon se sa ka leverdi nga kultivimi i dredhëzës”, është shprehur Balaj, duke u bërë thirrje konsumatorëve të konsumojnë vetëm produkte vendore.

 

“Shpeshherë konsumatorët hezitojnë t’i konsumojnë prodhimet vendore, duke u arsyetuar në forma të ndryshme. Dikujt i duket shtrenjtë e dikush u jep përparësi produkteve të jashtme, gjoja se janë më të mira.

Ne duke e mbajtur këtë çmim dhe konsumatorët duke e mbajtur qëndrimin e tyre, nganjëherë mbesim pa i shitur produktet tona e ata pa e shijuar produktin vendor”, ka deklaruar Balaj, i cili është ndarë i kënaqur edhe nga pjesëmarrja në “Panairin e Dredhëzës”, i cili ka përfunduar para disa ditësh. “Në këtë panair ishin të ftuar fermerë të ndryshëm.

Natyrisht edhe unë isha. Pata rastin të takoj fermerë të shumtë. Këtij evenimenti i janë bashkuar edhe kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kohë pas kohe kanë ardhur personalitete të ndryshme të politikës dhe kulturës.

 

Personalisht jam ndarë i kënaqur edhe me shitjen e dredhëzës. Shpresojmë që këso organizimesh të ketë shpesh e mos të mbesin një herë në vit. Do të ishte mirë të ketë panaire për çdolloj produkti që kultivohet”, është shprehur Balaj, i cili ka të mbjella produkte bujqësore rreth 50 ari në sera e 60 ari në fushë të hapur.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)