29 Prill 2024

Kultivuesit e shpezëve mblidhen në panair në Mitrovicë

Mitrovicë, 9 janar - Kultivuesit e shpezëve prej qyteteve të ndryshme të Kosovës janë mbledhur në Mitrovicë për të garuar me shpendin më të bukur.

Këtë ata e kanë bërë në Panairin tradicional të shpezëve që u mbajt në hollin e qendrës së kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë.

Adem Potoku, kryetar i Shoqatës së kultivuesve të bilbilave në Kosovë, tha se ky është panairi i tretë tradicional që mbahet në Mitrovicë.

“Në këtë panair ka kultivues të shpezëve, si pulave, pëllumbave e bilbilave nga qytete të ndryshme të Kosovës”.

Ai sqaroi se kjo shoqatë selinë qendrore e ka në Mitrovicë, mirëpo degët e saj funksionojnë në të gjitha qytetet tjera të vendit, me përjashtim të Ferizajt dhe Gjilanit.

“Ka kultivues të shumë dhe dashamirës të shpezëve, kështu që e kemi parë të udhës që të organizohemi”.

Ndërsa sekretari i kësaj shoqate, Fahredin Doroci, tha se ka tri vite që janë më të organizuar dhe vazhdimisht nëpër qytete mbahen edhe garat kampionate ndërmjet kultivuesve të shpezëve.

“Prej vitit 2009 kur e kemi themeluar shoqatën vazhdimisht kemi organizuar aktivitete të ndryshme të kultivuesve të shpezëve të ndryshme”.

Ai theksoi se është një lajm i mirë për ta edhe mbështetja nga institucionet vendore. “Këtë vit për organizimin e panairit materialisht na ka ndihmuar Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Mitrovicës, të cilën e falënderojmë shumë”.

Në hapje të  këtij panairi ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë, Bislim Imeri. Ai i ka përgëzuar kultivuesit e shpezëve dhe ka premtuar përkrahje për ta.

Ndërsa Hamit Sahatqija, një kultivues me përvojë i  bilbilave, i cili ishte i pranishëm në këtë panair, shprehu kënaqësinë me praninë e strukturave komunale. Ai tha se është një respekt dhe një nder i veçantë që ju është bërë.

Sahatqija, tha se me kultivimin e bilbilave merret nga fëmijëria, meqë edhe babai i tij ishte  i pasionuar pas këtyre shpezëve të bukura. “Kultivimi i bilbilave bëhet për kënaqësi të shpirtit dhe veshit dhe shumë më pak për biznes”.

Tregoi se tash ka 25 bilbila, të cilët i mban në kafaze në shtëpi. “Jam mësuar me këngën e tyre. Më është bërë pjesë e jetës dhe nuk mund të rri pa ta”, tha ai, duke shtuar se për kultivimin e tyre kërkohet edhe shpenzim.       


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)