07 Maj 2024

Kosova - Maqedonia e Shqipëria bashkë për zhvillimin e Sharrit

Prishtinë, 27 shkurt - Një projekt i përbashkët ndërkufitar për zonën e Sharrit, do të krijojë mundësi për investime të përbashkëta në zonat rurale të këtij rajoni.

Për konkretizimin e këtij projekti, sot kryetarët e komunave dhe bashkësive të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, që përfshin zona e Sharrit dhe delegacionet e Ministrive të Bujqësisë të këtyre shteteve, kanë nënshkruar një Memorandum të Mirëkuptimit me Grupin e Përhershëm të Punës për Zhvillim Rural Rajonal në Evropën Juglindore.

Ky projekt, që mund të arrijë deri në 5 milionë euro, ka për qëllim hartimin e politikave të përbashkëta për zhvillimin rural rajonal dhe zhvillimin e bujqësisë, me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik në zonën ndërkufitare të Sharrit.

Me këtë rast, ministri i MBPZhR-së, Blerand Stavileci, tha se zhvillimi  i qëndrueshëm ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk mund të arrihet pa aplikimin e qasjes së zhvillimit bazuar në rajone, e cila sipas tij konsiderohet si qasje që mundëson zhvillim të qëndrueshëm të rajoneve rurale ndërkufitare përmes implementimit të parimit të përfshirjes, pjesëmarrjes dhe fleksibilitetit.

“Ky projekt mundëson identifikimin dhe investimin në interesat e përbashkëta të këtij rajoni, me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe shndërrimit të tyre në ura lidhëse për zhvillimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, duke intensifikuar bashkëpunimin ndërkufitar."

"Platforma rajonale e bashkëpunimit në të gjitha këto procese ka rëndësi të veçantë, sepse ndihmon në shkëmbimin e informacioneve dhe në zhvillimin tonë të përbashkët dhe i tillë është edhe projekti ynë ndërkufitar për zonën e Sharrit, për të cilin ne sot do t’i konkretizojmë aktivitetet punuese edhe përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit”, tha ministri Stavileci.

Sipas tij, kjo platformë është shembulli më i mirë i intensifikimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve dhe në këtë kuadër, si Ministri e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, meqë sivjet e kryesojnë edhe Grupin e Përhershëm të Punës për Zhvillim Rural Rajonal në Evropën Juglindore, Stavileci shprehi edhe gatishmërinë që t’ju ofrojnë përkrahje shtesë për çdo gjë që paraqitet nevoja, që të ketë një implementim sa më efikas.

Në anën tjetër, sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Shqipërisë, Albert Kushti, tha se përmes studimeve që do të bëhen në këtë zonë ndërkufitare, do t’i bëjnë të ditura edhe potencialet bujqësore, ekonomike e sociale që i ka kjo zonë.

“Ne e ofrojmë gatishmërinë tonë për një bashkëpunim të tillë dhe në mënyrë aktive do të marrim pjesë edhe në grupin palëve të interesuara, për të kontribuar për një bashkëpunim rajonal sa më efikas”, tha Kushti.

Ndryshe, rajoni i Sharrit është një ndër katër rajonet e përzgjedhura ndërkufitare nga asambleja e Grupit të Përhershëm të Punës për Zhvillim Rural Rajonal në Evropën Juglindore dhe ky rajon shtrihet në një territor mes tre shteteve: Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës.

Studimi bazë dhe kuadri strategjik për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkufitar lidhur me implementimin e Qasjes për Zhvillim Bazuar në Rajone, është hartuar nga Grupi i Përhershëm i Punës për Zhvillim Rural Rajonal dhe implementohet në kuadër të platformës së tij, ndërsa financohet nga Bashkimi Evropian.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)