29 Prill 2024

Kosova ka nevojë më shumë për prodhime bujqësore

Prishtinë, 13 shkurt - Tregu vendor qëndron në varshmëri të madhe me produkte që importohen, veçanërisht në këtë periudhë kohore dhe në muajt e fundit të vitit. Kështu ka bërë me dije zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Adil Behramaj.

Sipas tij, në sezonin e verës importi i produkteve bujqësore pëson dukshëm rënie, ngase në prodhimtarinë bimore ka edhe hiperprodhimtari. “Në sektorin e hortikulturës në verë fillon vjelja dhe ne, përveçse i plotësojmë nevojat konsumuese të brendshme me shumicën e kulturave bujqësore, kemi potencial të madh edhe eksportues në këta muaj. Në mënyrë specifike, më keq qëndrojmë në pemëtari dhe në prodhimtarinë blegtorale, përkatësisht në nënsektorin e mishit”, ka theksuar ai.


Sipas Behramajt, Kosovës i mungojnë të dhënat e sakta nga terreni, por në sezonin e verës llogaritet që me prodhimtarinë primare arrihet të plotësohen rreth 80 për qind të nevojave të brendshme me shumicën e kulturave bujqësore që kultivohen te ne. “Në muajt e tjerë ne ballafaqohemi me dukurinë e rrallësisë së produkteve bujqësore në treg dhe në masë të madhe rritet shkalla e importit të këtyre produkteve. Këtu qëndron edhe fokusi ynë në këtë fazë zhvillimore.

Ne vetëm gjatë këtij viti me investimet tona kemi ngritur rreth 312 hektarë sipërfaqe të reja me pemishte, vreshta dhe perime në serra dhe rreth 216 hektarëve të tjerë ua kemi rregulluar infrastrukturën përcjellëse. Po ashtu, me investimet tona kapitale nën ujitje kemi përfshirë edhe 9 803 hektarë tokë bujqësore dhe kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në rritjen e rendimenteve”, ka theksuar ai, duke shtuar se në këtë kohë prioritet për ministrinë është krijimi i mundësive për të realizuar vjelje të hershme.


“Për të ndikuar në rritjen e qëndrueshmërisë dhe në zgjatjen e jetës së prodhimeve tona ne sivjet do të ndërtojmë edhe qendra të mëdha për grumbullim, ruajtje dhe klasifikim të produkteve bujqësore”, ka deklaruar ai.


Një prej segmenteve kryesore për zhvillimin e sektorit të bujqësisë është industria agropërpunuese, e cila ndikon drejtpërdrejt në konsistencën e furnizimit dhe në absorbimin e prodhimtarisë primare për nevoja të përpunimit. “Kosova ka më së shumti ngecje”, ka thënë ai.


Në bazë të regjistrit të kadastrës të vreshtave dhe industrisë së verërave, Kosova ka të mbjellë rreth 3 200 hektarë me vreshta dhe rreth 3 150 hektarë prej tyre prodhojnë rrush. Nga kjo sipërfaqe ish-kompanitë kanë 850 ha me vreshta në prodhim, ndërsa privatët 2 350 ha. “Sipas të dhënave hidrometeorologjike të institutit dhe stacioneve të ndryshme që masin temperaturat gjatë muajit shkurt, këto në këtë zonë vreshtare janë sjellë nga +1C0 deri në -15C0 gjatë natës dhe për sa i përket ndikimit të tyre në hardhinë e rrushit është ende shumë herët për të folur”, ka pohuar ai.


Sipas Behramajt, sythat dhe lastrat u rezistojnë kryesisht këtyre temperaturave, por kjo varet edhe nga përgatitja e hardhisë për dimërim, kultivarit, ekspozicionit, rrymimeve ajrore, lagështisë relative të ajrit, shkallës së dëmtimit nga sëmundjet etj. Për më tepër, më të dëmshme janë ngricat e hershme vjeshtore dhe ato të vonshmet pranverore sesa këto dimërore.

“Vlerësimi adekuat do të bëhet më vonë nga ministria apo edhe nga ndonjë komision ndërinstitucional, ndërsa krasitja mund të fillojë nga çasti kur nisin të bien gjethet, por si afat më optimal për krasitjen e hardhisë është muaji mars”, ka deklaruar zëdhënësi Behramaj.


Po ashtu, ai ka bërë me dije se Ministria e Bujqësisë vitin e kaluar ka qenë bashkorganizatore e rreth 30 panaireve për promovimin e produkteve bujqësore, si dhe në po këtë vit ne e kemi filluar edhe fushatën “Për sofrën tonë”.

 “Tashmë ne kemi marrë përkrahje financiare edhe nga USAID-i për ta intensifikuar këtë fushatë dhe gjatë këtij viti kjo do të jetë shumë më e fuqishme. Tani kanë filluar duke u emetuar spote të ndryshme, shumë shpejt do të krijohen edhe kënde të veçanta nëpër pika shitëse për prodhime vendore dhe gjatë sezonit të verës do të organizojmë edhe aktivitete të ndryshme në terren.


Fushata parashihet të jetë afatgjatë dhe nëpërmjet saj synojmë ta përmirësojmë komunikimin ndërmjet prodhuesve dhe konsumatorëve, si dhe këta të fundit t’i orientojmë gjithnjë e më shumë drejt konsumimit të prodhimtarisë vendore”, ka theksuar ai.(Epoka e Re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)