03 Maj 2024

Kosova, e varur nga importi i mishit

Albulena S. Mavraj

Prishtinë, 5 shtator - Importi i lartë i produkteve me origjinë shtazore mbetet shqetësues dhe paraqet një pengesë të lartë për prodhuesit kosovarë. 95 për qind e produkteve me origjinë shtazore, të cilat konsumohen në tregun kosovar, i përkasin importit, ndërsa vetëm 5 për qind eksportit.

Kështu ka thënë për “Epokën e re”, Burim Piraj, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve dhe Përpunuesve të Importeve të Produkteve me Origjinë Shtazore. Piraj ka deklaruar se kërkesa për këto produkte është shumë e lartë dhe plotësohet nga importi.

“Kërkesa për këto produkte është shumë e madhe, por importi është shumë i lartë, kurse kapaciteti i prodhimit për produktet e pulës në vendin tonë është shumë i vogël, vetëm 5 për qind”, ka bërë me dije Piraj.

Ai ka shtuar se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për ta zhvilluar këtë veprimtari. Por, sipas tij, duhet ndihma dhe mbështetja nga ana e Qeverisë për të qenë konkurrentë prodhuesit tanë në tregjet e huaja.

“Qeveria e Kosovës duhet t’u ndihmojë prodhuesve kosovarë, jo vetëm nëpërmjet mbrojtjes fiskale, por duhet të ketë edhe mbështetje financiare. Kosova i plotëson kushtet, si ato gjeografike, klimatike dhe fuqinë punëtore në mënyrë që të jenë konkurrentë në tregjet e huaja”, ka thënë Piraj, duke shtuar se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në përkrahjen e prodhuesve vendorë të mishit të pulës.

“Përkrahja e prodhuesve të mishit do të ndikojë në ngritjen e punësimit dhe sjelljen e mishit të freskët në treg, pasi çdo produkt me origjinë shtazore, freskia e bën të dallueshëm, andaj është krejt normale që një produkt që prodhohet në Kosovë është më cilësor sesa ai që importohet në Kosovë”, ka thënë Piraj. 


Ndërsa zëdhënësi i Doganës së Kosovës (DG), Adriatik Stavileci, ka thënë se produktet shtazore më shumë importohen nga Brazili, SHBA-ja, Italia, Holanda etj. Ai ka bërë me dije se vlera doganore për shtatëmujorin e këtij viti është 29,159,104.60 euro.

Kurse fermeri Astrit Selimaj, pronar i fermës “Bellini” nga Skivjani i Gjakovës, ka thënë se konkurrenca e madhe, e cila vjen nga jashtë dhe mosmbrojtja nga shteti paraqesin pengesë të madhe për zhvillim dhe përfitime nga kjo veprimtari.

“Unë kam arritur ta rris kapacitetin e prodhimit në fermën time. Nga 4 000 pula sa i kisha, tani i kam 24 000, por që të eksportohet dhe të dilet në tregun e jashtëm është mjaft vështirë, pasi mungon mbrojtja nga shteti”, ka deklaruar Selimaj.

Ndërsa sa i përket mbështetjes dhe subvencioneve, ai ka bërë me dije se u është premtuar se që nga shtatori institucionet përgjegjëse do të dalin për t’i numëruar pulat. “Mbështetja do të jetë 50 centë për kokë pule”, ka treguar ai.

Ndërsa Petrit Kaliqani, pronar i fermës “Kaliqani”, konkurrencën nga jashtë dhe mospërkrahjen nga shteti e sheh mjaft problematike dhe pengesë të zhvillimit.

“Që të rritet prodhimtaria dhe të kemi më shumë mundësi për përfitime është mjaft e vështirë, sepse ndërmarrjet e mëdha dhe konkurrenca nga tregjet e huaja po dominojnë në tregun kosovar”, ka thënë Kaliqani.

Ministria e Bujqësisë ka rritur përkrahjen për shpezëtarinë

Albulena Maloku, zyrtare e lartë për Informim në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZH), ka bërë me dije se kjo ministri e ka rritur përkrahjen për sektorin e shpezëtarisë.

\"Sivjet, krahas grandeve inventive, të cilat arrijnë vlerën prej 300 mijë eurosh, ky sektor do të mbështetet nëpërmjet subvencioneve edhe 300 mijë euro të tjera.

Sipas të dhënave që kemi, 70 për qind e fermave janë relativisht të vogla në këtë sektor dhe kanë prej 1 200 deri në 10 mijë pula, ndërsa rreth 20 ferma kanë mbi 10 mijë deri në 100 mijë pula”, ka theksuar ajo.

(Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)