02 Maj 2024

Kosova bashkon ministrat e Bujqësisë së Evropës Juglindore

Prishtinë, 16 nëntor - Vendet e Evropës Juglindore, në mesin e tyre edhe Kosova, po e forcojnë bashkëpunimin regjional në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Ky bashkëpunim në të ardhmen do të ketë për bazë reformat e Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) 2014-2020, të cilat për shkak të përafrimit të vazhdueshëm dhe krijimit të strukturave të nevojshme organizative, Kosovës do t’i mundësojnë që të përfitojë fonde shumë më të mëdha nga të gjitha komponentët e IPARD-it.

Krahas këtyre reformave, shtetet e rajonit do të orientohen edhe në zbatimin e qasjes së bazuar në zonat e zhvillimit ndërkufitar dhe në bashkëpunimin rreth resurseve ujore e pyjore.

Kështu u tha në takimin e gjashtë vjetor të Grupit Drejtues të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në Evropën Juglindore, i cili sivjet po mbahet për herë të parë në Prishtinë, sepse në vitin e ardhshëm, kryesuese e këtij grupi do të jetë Kosova.

Pjesëmarrës në këtë takim janë ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnje e Hercegovinës, Kroacisë, Hungarisë dhe zëvendësministrat e Bujqësisë së shteteve të tjera të Evropës Juglindore, të cilët gjatë tërë ditës po diskutojnë për format e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se mbajtja e konferencave me karakter rajonal ka rëndësi të madhe për një të ardhme më të mirë dhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Bashkëpunimi rajonal, sipas tij, shërben edhe për shkëmbimin e përvojave pozitive, që ndikojnë në zhvillimin rural dhe avancojnë praktikat më të mira bujqësore.

“Me politikat tona strategjike ndërsektoriale dhe në harmoni të plotë me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të BE-së, jemi të orientuar në rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe në krijimin e kushteve sa më të favorshme për prodhuesit, në mënyrë që të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe t’ju bashkëngjitemi trendëve zhvillimore të vendeve të BE-së. Zhvillimi i mëtejmë i sektorit të bujqësisë vazhdon të jetë njëri prej prioriteteve tona strategjike dhe pjesë e programit tonë në këtë mandat qeverisës është edhe rritja e buxhetit për këtë sektor”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se në të gjitha vendet e BE-së, përmes zhvillimit të bujqësisë dhe zhvillimit rural bëhen përpjekje për të reduktuar diferencat socio-ekonomike midis vendeve të rajonit.

Ai theksoi edhe rëndësinë e madhe të platformës së SWG-së, që sipas tij, është një shembull i mirë i intensifikimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërshtetërore.

“Për neve si regjion, thatësia që ka mbretëruar gjatë këtij viti, ka nxjerr në pah edhe nevojën për një bashkëpunim më serioz në fushën e menaxhimit të resurseve ujore dhe pyjore. Dhe, meqë politikat ambientaliste si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike rangohen shumë lart në Politikën e Përbashkët Bujqësore, edhe vendet tona duhet të reflektojnë dhe të punojnë më shumë rreth tyre.\"

\"Gjithashtu, rëndësi të veçantë ka edhe koncepti i zhvillimit territorial në zonat ndërkufitare, si dhe projekti që është duke u implementuar për harmonizimin e politikave për bujqësi dhe zhvillim rural të vendeve të Evropës Juglindore, në raport me politikat e BE-së”, tha ministri Stavileci.

Ai tregoi se krahas rritjes së buxhetit për sektorin e  bujqësisë, kanë forcuar edhe kapacitetet në Autoritetin Menaxhues dhe në Departamentin e Pagesave, si dhe janë duke u angazhuar në ristrukturimin institucional, ku tashmë janë në proces të riorganizimit edhe të Departamentit për Shërbimet Këshillimore.

Gjatë këtij takimi, ministrat e vendeve të Evropës Juglindore u njoftuan edhe për hapat që BE-ja është duke ndërmarrë për ndryshimin e Politikave të Përbashkëta Bujqësore (PPB) dhe Politikave për Zhvillimin Rural (PZHR).

Gerard Kiely, udhëheqës i Drejtorisë së Përgjithshme për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komisionin Evropian, gjatë prezantimit të këtyre ndryshimeve, tha se reformat tashmë janë duke hyrë në fazën përfundimtare të negociatave me të gjitha shtetet dhe ato pritet të finalizohen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

“Kjo është hera e parë që po bëjmë kësij reforma, të cilat do të zbatohen gjatë shtatë viteve të ardhshme. Propozimi ynë ka qenë që buxhetin për bujqësinë dhe zhvillimin rural ta kemi të pandryshuar nga viti 2014, deri në vitin 2020 dhe për këtë kemi pasur mbështetje të fortë nga disa shtete, por ka pasur edhe kundërshtime të forta nga disa të tjera, të cilat kanë qenë kundër Politikës së Përbashkët Bujqësore (PPB), por në këtë fazë ato po vijnë duke u zbehur”, tha Kiely.

Buxheti i Grupit Drejtues të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal në Evropën Juglindore, i cili do të udhëhiqet nga Kosova, sillet në rreth 6 milionë euro në vitin e ardhshëm, ndërsa njëri prej projekteve me karakter ndërkufitar që do të implementohet është edhe projekti i maleve të Sharrit, ku të përfshira përpos Kosovës janë edhe Shqipëria dhe Maqedonia. Vlera e këtij projekti arrin në rreth 2 milionë euro.

Ministrat e Bujqësisë së Evropës Juglindore, të cilët ende janë duke diskutuar rreth formave të bashkëpunimit dhe reformave në Politikën e Përbashkët Bujqësore, sonte do të mbajnë edhe takime bilaterale me ministrin Stavileci, me ç’rast do të diskutojnë edhe për forma të tjera të bashkëpunimit ndërshtetërore me Kosovën.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)