28 Prill 2024

Këtë vit, përkrahen të gjithë sektorët e bujqësisë

Prishtinë, 16 shkurt – Programi i vitit 2014 për bujqësinë dhe zhvillimin rural përfshin edhe shumë nënsektorë të rinj që nuk janë mbështetur në të kaluarën. Bujqit tashmë kanë liri më të madhe investuese dhe shumë më pak kufizime brenda sektorëve të kësaj fushe shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit.

Ministria e Bujqësisë, në programin e saj për këtë vit i kushton rëndësi të veçantë edhe mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së energjisë, duke ofruar përkrahje shtesë nga mbulueshmëria e investimeve të përgjithshme prej 60 për qind, në plus 5 për qind shtesë për bujqit e rinj dhe plus 10 për qind shtesë për investimet në zonat e thella rurale.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, tregon se mbështetja prej fondeve publike arrin deri në 75 për qind të mbulueshmërisë së investimit të bujqve dhe agrobizneseve. “Në krahasim me programin e viteve paraprake, programi i sivjetmë ofron liri më të madhe investuese për fermerë dhe agrobiznese.

Pra, tash shumë pak kultivues kanë hapësirë të ankohen për mospërkrahje, sepse sivjet përkrahen pothuajse të gjitha kulturat bujqësore. Në perimtari, përkrahim me investime të gjitha perimet, si në fushë të mbyllur, ashtu edhe në të hapur. Njëjtë pothuajse edhe në pemëtari.

Gjithashtu, përmes masës së re të diversifikimit në fermë, do të përkrahim edhe përpunimin e qumështit të bagëtisë së imtë dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve në fermë, prodhimin shtëpiak dhe përpunimin e barishteve, bimëve mjekuese, pemëve pyjore dhe kërpudhave të grumbulluara”, tha zëdhënësi Behramaj, sipas të cilit, tash është hapur periudha për aplikim për një pjesë të madhe të programit të këtij viti.
Krahas kësaj, ai tregoi se risi në kuadër të programit të sivjetmë të pagesave direkte është edhe subvencionimi i derrarisë dhe i kultivuesit të fidanëve të rrushit.

Ndryshe, në programin e sivjetmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, do të ketë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për lulediell, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për derrari, për vreshtat ekzistuese, për material fidanor të pemëve dhe të hardhisë së rrushit.

Ndërkaq, përmes granteve investive do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, brojlerëve, vezëve. Pastaj, do të përkrahet edhe prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e patates, prodhimtaria e mollës, dardhës, kumbullës, vishnjës, dredhëzës, mjedrës, manaferrës, vreshtaria dhe bimët mjekuese.

Gjithashtu, do të vazhdojë përkrahja e fermerëve për moderinizimin e mekanizmit të tyre bujqësor dhe krahas gjitha këtyre, këtë vit përsëri investohet në projekte për ujitjen e tokave bujqësore, në agropërpunim përmes investimeve në pajisje dhe makineri për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore, si dhe do të investohet edhe në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)