03 Maj 2024

Jacobson: USAID-i do të vazhdojë ta përkrah Bujqësinë

Prishtinë, 24 shtator - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural u vizitua nga ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci dhe ambasadorja Jacobson, sot në një takim të përbashkët diskutuan rreth gjendjes në sektorin e bujqësisë dhe rreth projekteve që USAID-i dhe Ministria e Bujqësisë janë duke i implementuar së bashku në këtë sektor.

Ministri Stavileci pasi e informoi ambasadoren Jacobson për përkrahjen financiare dhe profesionale që ju ofrohet fermerëve dhe për programin vjetor të Ministrisë së Bujqësisë, vlerësoi lart edhe përkrahjen që SHBA-të janë duke dhënë për sektorin e bujqësisë përmes projekteve të USAID-it.

“Ristrukturimi, revitalizimi dhe transformimi i sektorit të bujqësisë në një sektor modern, të orientuar gjithnjë e më shumë drejt kërkesave të tregut, paraqet prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe ne tashmë jemi duke ndërmarr masa dhe kemi filluar edhe shumë nisma që përshpejtojnë këtë proces”, ka deklaruar Stavileci.

Ai ka thënë se këto nisma kanë marrë përkrahje të fuqishme edhe nga USAID-i, i cili gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë partner shumë serioz i Ministrisë së Bujqësisë.

Në anën tjetër, ambasadorja Jacobson, tha se zhvillimi i bujqësisë e ndihmon edhe zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe USAID-i do të vazhdojë ta përkrah edhe në të ardhmen këtë sektor.

Ajo u interesua për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar bujqësia kosovare dhe duke iu referuar bashkëpunimit që Kosova ka me shtetin e IOWA-s në SHBA, ambasadorja Jacobson shprehu gatishmërinë që ta intensifikoj edhe më shumë bashkëpunimin, me theks të veçantë në këmbimin e praktikave të mira të punës dhe në fushën e arsimit profesional.

Deri më tani, USAID-i ka qenë përkrahës i fuqishëm i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në themelimin e Njësisë për Analiza Ekonomike, në organizimin e Shërbimeve Këshillimore, në krijimin e programit për kredi bujqësore dhe ka ofruar konsulencë edhe për ndërtimin e tre qendrave të mëdha grumbulluese.

Gjithashtu, përmes projektit “Mundësitë e Reja për Bujqësi”, në kuadër të fushatës “Për sofrën tonë”, USAID-i është duke e përkrahur fuqishëm edhe promovimin e produkteve bujqësore dhe organizimin e panaireve për kultura të ndryshme bujqësore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)