28 Prill 2024

Investimet në bujqësi krijuan 2175 vende pune

Prishtinë, 3 tetor - Përkrahja e Ministrisë së Bujqësisë përmes granteve investive ka krijuar 2175 vende të reja të punës në periudhën 2008-2011, ndërsa përkrahja përmes subvencioneve mbështet rreth 10 mijë vende ekzistuese të punës në vit.

Krahas efekteve në punësim, Ministria e Bujqësisë me politikat e saj zhvillimore ka zgjeruar edhe sipërfaqet e mbjella me kultura bujqësore, si dhe ka ndikuar edhe në rritjen e rendimenteve dhe në rritjen e të ardhurave për fermerë.

Këto të dhëna u bënë të ditura në takimin e dytë të Komitetit Monitorues, ku u prezantua Raporti i monitorimit të implementimit për vitin 2011 dhe Raporti i vlerësimit afatmesëm të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2007-2013, i cili përfshin edhe efektet ekonomike dhe efektet në punësim.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se nga viti në vit po rritet përkrahja për sektorin e bujqësisë dhe se ky sektor tashmë ka hyrë në binaret e zhvillimit, pasi që politikat bujqësore të ministrisë janë orientuar në rritjen e qëndrueshme ekonomike të fermave, në modernizimin dhe avancimin e prodhimtarisë bujqësore, në gjenerimin e punësimit dhe në krijimin e mundësive për të ardhura shtesë në sektorin bujqësor.

“Sipas raportit të vlerësimit afatmesëm të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili është bërë nga Projekti i BE-së për Binjakëzim, përmes investimeve në pemëtari janë krijuar 326 vende pune, përmes investimeve në serra janë krijuar 365 vende pune, përmes investimeve në vreshtari janë krijuar 250 vende pune, përmes investimeve në sektorin e qumështit janë krijuar 1079 vende të reja të punës dhe përmes investimeve në agropërpunim, janë krijuar 155 vende të reja të punës, që gjithsej janë 2 mijë e 175 vende të reja të punës që kemi krijuar në këtë sektor”, tha ministri Stavileci.

Në këto shifra, sipas Stavilecit, nuk përfshihet viti 2012, ku përkrahja është dukshëm më e madhe dhe se investimet janë për periudhën 2008-2011, ku vlera e mjeteve që janë disbursuar për këtë periudhë, përmes granteve investive ka qenë 17.5 milionë euro, përmes subvencioneve 14.2 milionë euro, kurse përmes Komisionit Evropian 5 milionë euro.

Ai tha se grantet investive, sipas raportit të monitorimit dhe vlerësimit, tregojnë se efektet ekonomike tek përfituesit e granteve investuese kanë rezultuar me dyfishim të të ardhurave nga viti 2008 deri në vitin 2011.

Sipas këtij raporti, nga 102 mijë hektarë me drithëra, sa kanë qenë në vitin 2007, në vitin 2011 sipërfaqet kanë arritur në rreth 160 mijë hektarë. Në sektorin e blegtorisë ka rritje të fondit të përgjithshëm të bagëtisë përreth 20 për qind dhe rritje të prodhimtarisë së qumështit prej rreth 80 mijë ton.

Ndërsa, në sektorin e hortikulturës janë ngritur 191 serra të reja, 221 ngastra me pemishte dhe 471 ngastra me vreshta të reja. Krahas kësaj, ministria ka investuar gjithashtu edhe në infrastrukturën përcjellëse dhe mekanizmin bujqësor tek shumë ferma që veprimtari kryesore e kanë hortikulturën dhe janë mbi 1 mijë projekte që janë përkrahur deri më tani në sektorin e hortikulturës dhe tashmë në proces është edhe ndërtimi i tri qendrave të mëdha grumbulluese, ruajtëse dhe shitëse për prodhimtarinë bujqësore.

Ndërsa, përmes investimeve në sistemin e ujitjes, janë ndërtuar dhe zgjeruar gjithsej 53 kanale të ujitjes, të cilat nën ujitje kanë përfshirë 18773 hektarë të rinj të sipërfaqeve bujqësore, efekti i drejtpërdrejtë i të cilave ka qenë edhe rritja e rendimenteve prej 40 – 60 për qind në prodhimtarinë bujqësore.

Përkrahja e planifikuar përmes granteve investive dhe subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë, duke marrë parasysh edhe grantet që do të ndahen nga kredia e Bankës Botërore, në vitin 2012 do të arrijë në 17,291.821 euro.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)