27 Prill 2024

Fillon regjistrimi i bujqësisë në Kosovë

Prishtinë, 1 nëntor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka filluar sot punën në terren për Regjistrimin e Bujqësisë.  Bajrush Qevani, drejtor i Departamentit të Statistikave të Bujqësisë dhe Mjedisit, njëherit edhe menaxher i Regjistrimit të Bujqësisë në ASK, ka njoftuar se regjistrimi i bujqësisë në Republikën e Kosovës ka filluar sot dhe do të përfundojë më  20 nëntor 2014.

“Regjistrimi i Bujqësisë ka filluar. Regjistruesit të mbështetur nga personeli i Regjistrimit të Bujqësisë dhe nga personeli tjetër për kryerjen e Regjistrimit të Bujqësisë janë duke kryer regjistrimin në terren. Sipas informacioneve që i kemi, ky proces është duke u zhvilluar normalisht. Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe do të jemi në monitorim të vazhdueshëm gjatë kryerjes së këtij procesi. Dhe, vazhdimisht personeli i Agjencisë së Statistikave të Kosovës do të jetë në dispozicion për ndonjë asistencë ose ndonjë këshillë gjatë ndonjë vështirësie që mund t’u dalë në terren”, ka thënë Qevani.

 Ai tha se Regjistrimi i Bujqësisë, i cili ka filluar sot do të përfundojë më 20 nëntor dhe se të gjitha dokumentacionet e nevojshme janë përgatitur. Po ashtu, sipas tij, kategoria e regjistruesve do të jenë të mbështetur edhe nga personeli tjetër i Regjistrimit të Bujqësisë. Qevani bën apel te të gjitha ekonomitë familjare bujqësore, që të japin përgjigje të sakta në mënyrë që të nxjerrin informacione të plota.

“Mesazhi im për ekonomitë familjare bujqësore dhe për subjektet juridike bujqësore, që në këtë rast janë ndërmarrjet, bizneset bujqësore dhe fermat bujqësore, është që t’i përgjigjen plotësisht Regjistrimit të Bujqësisë. Do të thotë të marrin pjesë plotësisht, t’u japin përgjigjet e plota dhe të sakta regjistruesve, sepse vetëm me këto informacione të plota, të sakta, mund t’u ndihmohet autoriteteve për planifikimin e regjistrimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë”, pohoi ai.

Kurse, Ekrem Gjokaj, nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), tha se projekti i Regjistrimit të Bujqësisë, i cili veç ka filluar, konsiderohet si njëri ndër projektet më të rëndësishme për Ministrinë e Bujqësisë. Madje, sipas tij, ky regjistrim do të ndihmojë në hartimin e politikave dhe programeve adekuate për bujqësi.

“Regjistrimi i Bujqësisë konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme për Ministrinë e Bujqësisë për arsye se në bazë të të dhënave, që do të fitohen nga Regjistrimi i Bujqësisë, Ministria e Bujqësisë do të jetë në gjendje që të krijojë politika dhe programe adekuate për fusha dhe lëmi të caktuara, në bazë të informacioneve në rajonet ku veç kultivohen kulturat e ndryshme bujqësore”, është shprehur Gjokaj.

Ai po ashtu nuk la pa përmendur edhe ata, të cilët pas përfundimit të këtij regjistrimi do të mund t’i përdorin të dhënat, siç janë: Ministria e Bujqësisë, universitetet, në veçanti Fakulteti i Bujqësisë, nga hulumtues të ndryshëm, nga grupe hulumtuese dhe nga ekspertë të fushës së bujqësisë.

“Shfrytëzuese kryesore, ose të dhënat kryesore, do të shfrytëzohen nga Ministria e Bujqësisë, si bartëse për hartimin e politikave dhe programeve. Mirëpo, këto të dhëna do të shfrytëzohen edhe nga shfrytëzues të tjerë siç janë universitetet, në veçanti Fakulteti i Bujqësisë, nga hulumtues të ndryshëm, nga grupe hulumtuese dhe nga ekspertë të fushës së bujqësisë”, ka thënë ai. 

Ndryshe, Projekti i Regjistrimit të Bujqësisë është financuar nga Qeveria e Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Bashkëpunimi për Zhvillim-Ambasada e Suedisë-Sida, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar-DFID, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Qeveria e Danimarkës dhe Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)