12 Maj 2024

Dredhëza të freskëta, gjatë tërë vitit

Prishtinë, 26 maj - Kultivimi i pemëve të imta, ku hyn edhe kultivimi i dredhëzës, nga dita në ditë po bëhet edhe më i leverdishëm për fermerët vendorë. Duke parë se kultivimi i këtyre pemëve, e në veçanti i dredhëzës, e cila ka përdorim të gjerë edhe në Kosovë, po tregohet i suksesshëm, fermerët po i zgjerojnë sipërfaqet e tyre nga viti në vit, ku për këtë ata po marrin edhe mbështetjen e institucioneve vendore.

Halil Morina nga Reshtani i komunës së Suharekës, tash e tre vite ka filluar me kultivimin e dredhëzave në një sipërfaqe prej mbi 20 ari. “Aktualisht kam të mbjellur me dredhëza një sipërfaqe mbi 20 ari derisa me kultivimin e tyre kam filluar të merrem që nga viti 2011”, ka treguar ai.

Ky fermer thotë se është i kënaqur me rendimentet që po japin dredhëzat. “Që nga 1 maji kam filluar edhe me vjeljen e dredhëzave dhe jam i kënaqur edhe me rendimentet e po ashtu edhe më shitjen e tyre në treg. Shitjen kryesisht e bëj nëPrizren. Aktualisht 1 kilogram dredhëz e shes me çmim prej 1 euro”, thotë Halil Morina.

Fermeri Morina për të filluar me kultivimin dredhëzës ka marrë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës. “Po për të filluar veprimtarinë e kultivimit të dredhëzave kam pasur përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë , përmes granteve investive ku jam përkrahur në masën prej 50 për qind në investimin e bërë”, thotë ai.

Ai thekson tregon se ka plane për rritjen e sipërfaqeve, por kjo do të varet shumë nga shitjet që do të bëjë këtë vit si dhe nga përkrahja nëse i ofrohet nga organizatat ndërkombëtare dhe institucionet vendore që përkrahin bujqësinë dhe zhvillimin saj.

Ndërkaq zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Adil Behramaj, ka thënë për portalin “Ferma Ime” se nga viti 2007 sipërfaqet kultivuese tëdredhëzës janë rritur vazhdimisht.

“Sipërfaqe të mbjella me dredhëz kemi pasur gjithsej 163 hektarë në vitin 2013 dhe nëse e krahasojmë me vitin 2007, kur kishim 42 hektarë të mbjellë, kemi një shtim të madh të sipërfaqeve gjatë viteve të fundit. Këto sipërfaqe të dredhëzës, me një rendiment mesatar prej 7-10 ton për hektarë në fushë të hapur, në periudhën maj-qershor kur dredhëza konsumohet si produkt i freskët, arrijnë të prodhojnë rreth 1600 ton”, tha ai. Behramaj tregon se këtë vit kanë rritur shumën e përkrahjes për kultivuesit e dredhëzës.

“Me investimet e Ministrisë së Bujqësisë, për ngritjen e sipërfaqeve të reja me dredhëz, të cilat sivjet mund të arrijnë deri në 100 mijë euro për një kultivues të saj, ne shtojmë mesatarisht rreth 10 hektarë të rinj në çdo vit dhe gjatë sezonit përveç që i plotësojmë nevojat konsumuese, ne kemi filluar edhe të eksportojmë në Shqipëri”, tha ai.

Zëdhënësi Behramaj, tregon se viteve të fundit ka filluar të kultivohet edhe dredhëza vjeshtore, dhe sipas tij me ndërtimin e tri qendrave ruajtëse dhe grumbulluese me kapacitete rajonale, kosovarët do të mund të konsumojnë dredhëzën dhe pemët tjera gjatë tërë vitit.

Ai tregon se nga viti i ardhshëm të gjithë kultivuesit e pemëve, përfshirë këtu edhe ata të dredhëzës, do t’i subvencionojnë edhe me nga 300 euro shtesë për çdo hektarë të mbjellë me pemë.

Sipas tij, kostoja e prodhimit të dredhëzës është 0.66 euro për 1 kilogram, ndërsa çmimi mesatar i shitjes për 1 kilogram varion prej 1-1.5 euro. Behramaj, tregon se si kulturë bujqësore është mjaft profitabile dhe shumë shpejt hynë në frytëdhënie dhe kthen investimet e fermerëve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)