01 Maj 2024

Agrobizneset, mundësi për punësim

Prishtinë, 13 qershor - Shumë banorë të rajoneve të ndryshme të vendit tonë, po e sigurojnë edhe jetesën me punën që po ua ofrojnë agrobizneset vendore, të cilat viteve të fundit kanë filluar të zgjerohen edhe më shumë.

Dy prej këtyre agrobizneseve janë edhe pemishtja “Heron&Adea” dhe kompania për prodhimin e kërpudhave “King mushroom”, që punësojnë rreth 60 punëtorë së bashku në fshatin Budisalc të komunës së Klinës, të cilat sot u vizituan edhe nga ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci dhe drejtoresha e USAID-it, Maureen Shauket.

Gjatë kësaj vizite, ministri Stavileci dhe drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, premtuan mbështetje të sërishme për sektorin e bujqësisë përmes bashkëfinancimit të projekteve të ndryshme me grante investive.

“Deri më tash kemi realizuar disa projekte, rezultatet e të cilave tashmë janë shumë të prekshme. E që nga ky vit kemi filluar edhe me masën e re mbështetëse për agropërpunimin e produkteve bujqësore dhe tashmë të gjitha projektet janë në fazën e vlerësimit dhe kontrollit në terren, ndërsa investimet do t’i fillojmë shumë shpejt”, tha Stavileci.

Në anën tjetër, drejtoresha e USAID-it, Maureen Shauket, duke iu referuar programit “Mundësitë e Reja për Bujqësi”, tha se me investimet e tyre kanë ndikuar në rritjen e numrit të pemishteve në Kosovë.

“Përmes këtij programi synojmë të rrisim edhe më tej kualitetin e produkteve bujqësore dhe të zvogëlojmë shkallën e papunësisë në Kosovë”, tha Shauket.

Ndryshe, gjatë kësaj vizite, të pranishëm ishin edhe një numër i madh i fermerëve dhe agrobizneseve nga zona të ndryshme të vendit tonë. Pemishtja “Heron&Adea”, është krijuar para dy viteve dhe merret me kultivimin e mollëve, dardhëve, të cilat i ka të mbjella në një sipërfaqe prej 20.53 hektarë, ku 7 prej tyre janë nën sistemin kundër breshrit.

Ndërsa, kompania “King mushroom”, merret me prodhimin e kërpudhave, të cilat janë të destinuara vetëm për eksport. Të dyja këto agrobiznese janë mbështetur nga USAID-i, ndërsa pemishtja “Heron&Adea” sivjet ka aplikuar për të përfituar grante investive edhe nga Ministria e Bujqësisë për ndërtimin e depove për ruajtje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)