01 Maj 2024

Universiteti i Prishtinës pranon 12 mijë studentë të ri

Prishtinë, 6 korrik - Konkursi për pranimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për vitin akademik 2013-14 pritet të shpallet të martën (9 korrik). Sipas analizave të bëra nga njësitë akademike, pritet që ky universitet t’i hapë dyert për 12 mijë studentë
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” pritet të martën (9 korrik) të shpallë konkurs për pranimin e rreth 12 mijë studentëve të ri. Por ky numër mund të lëvizë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT). 


Ardian Kastrati, këshilltar i rektorit Ibrahim Gashi, ka thënë për “Epokën e re” se ky universitet është duke bërë një analizë të rezultatit të dalë nga procesi i akreditimit.

“Jemi duke bërë një analizë lidhur me rezultatet e akreditimit që janë bërë publike dhe që na janë dorëzuar zyrtarisht. Indikacionet e para, edhe pse nuk e kemi përfunduar në tërësi analizën tonë, janë se qëndrojmë mirë me programet e akredituara si ato ekzistuese, ashtu edhe ato të rejat. Duke u ndikuar nga programet që janë akredituar ne kemi filluar ta bëjmë planifikimin e numrit të studentëve për vitin e ri akademik. Natyrisht se është bërë një analizë për secilën njësi akademike më herët, mirëpo tash, pasi e dimë saktësisht cilat planprograme janë akredituar, planifikojmë t’i regjistrojmë rreth 12 mijë studentë”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, ky numër do të ndikohet edhe nga regjistrimet që do të bëhen në universitetet e reja publike.

“Por ky nuk është numri i saktë, sepse ju e dini se kuotat pritet të shpallen nga Ministria e Arsimit javën e ardhshme dhe me konkursin zyrtar do të dalim kah e marta e javës së ardhshme. Duke e pritur numrin e saktë që do të jepet nga MASHT-i ne kemi planifikuar një dinamikë që do ta respektojmë së paku në masën 90 për qind që nga java e ardhshme”, ka shtuar Kastrati.

Sipas tij, konkursi do të jetë i hapur deri më 23 korrik.

 “Më 26 dhe 27 do të mbahen provimet pranuese, kurse më 30 korrik planifikojmë ta bëjmë shpalljen e rezultateve. Synojmë që brenda muajit korrik ta përfundojmë procesin komplet të konkursit”, është shprehur Kastrati.

Po sipas tij, është paraparë edhe periudha e ankimimit. “Kurse faza e ankimimit do të jetë në javën e parë të gushtit”, ka theksuar Kastrati.

Po ashtu, ai ka thënë se gjatë këtij viti pritet të rritet numri i studentëve që do të pranohen në fakultetet që vitet e kaluara ka pasur më shumë interesim siç janë: Edukimi, Ekonomiku, Juridiku dhe Mjekësia.

“Nuk mund të jap përgjigje aritmetike, por tendencat janë për rritje, sepse kërkesat po varen edhe nga tregu i punës. Ta zëmë për në Edukim, çdo vit mësuesit po dalin në pension dhe çdo vit nevojiten mësues të ri. Tendenca është për rritje, por kjo varet nga vendimi zyrtar i MASHT-it”, ka thënë Kastrati.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)