06 Maj 2024

Të hetohen rastet e punësimeve të parregullta në shkollat e Prizrenit

Prizren, 25 shkurt - Forumi Transparenca po i përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me rastet e dyshuara të punësimeve jo të rregullta në shkollat e komunës së Prizrenit.

Ditëve të fundit është raportuar për një numër rastesh të punësimeve në shkolla ku dyshohet për shkelje të kritereve të konkurseve, pagesë joligjore për të fituar vendin e punës dhe ndikim të figurave të fuqishme të politikës. Këto dyshime janë edhe një tregues i degradimit të sektorit të arsimit në Prizren përgjatë gjithë periudhës së pasluftës.

Të gjitha këto raste të dyshimeve janë arsye mëse e mjaftueshme që institucionet përkatëse të ndërmarrin veprime të menjëhershme në pajtim me ligjin.

Prandaj, Forumi Transparenca u bën thirrje qeverisë lokale të Prizrenit dhe qeverisë qendrore të Kosovës (në rradhë të parë Ministrisë së Arsimit) që t’i hulumtojnë këto raste dhe së shpejti të njoftojnë opinionin publik me të gjetuar mbi gjendjen në shkollat e Prizrenit.

Në të njëjtën kohë, për shkak të dyshimeve serioze të ngritura ditëve të fundit, i bëjmë thirrje edhe institucioneve të drejtësisë që t’i nisin hetimet në pajtim me autorizimet që i kanë. 

Edhe gjatë vitit të kaluar Forumi Transparenca ka trajtuar çështje problematike të sektorit të arsimit në Prizren, për të cilat është bërë thirrje për veprim institucional.

Në mungesë të këtyre veprimeve, ditëve të fundit kemi përfunduar me një numër të konsiderueshëm rastesh të raportuara nga vetë qytetarët dhe të publikuara në mediat lokale dhe qendrore.

Mungesa e veprimit të menjëhershëm institucional për t’i hetuar këto raste do të paraqiste përpjekje për heshtjen e këtyre rasteve dhe do t’i dekurajonte të gjithë ata që kanë marrë guximin t’i sfidojnë parregullsitë në këtë sektor.

Forumi Transparenca i bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’i raportojnë rastet e tyre të dyshimeve mbi punësimet jo të rregullta në shkollat e Prizrenit. Vetëm përmes mobilizim të përgjithshëm shoqëror mund të ndalohet degradimi i mëtejmë i sektorit të arsimit në Prizren.

Forumi Transparenca është themeluar në mars të vitit 2014, si përpjekje e koordinuar e akterëve të shoqërisë civile dhe mediave në Prizren, të cilët kanë për synim rritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë lokale të Prizrenit.

Ky trup joformal përbëhet nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të Prizrenit, të cilët janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)